Ilustrim: KALLXO.com

‘Flirti i pashmangshëm’ i LDK-së më PAN-in për pozitën e Presidentit

As takimi i sotëm mes Albin Kurtit e Isa Mustafës nuk rezultoi me ndonjë marrëveshje, ndonëse kanë mbetur edhe 6 ditë deri në seancën ku pritet të konstituohet Kuvendi i Kosovës

Dyja palët po deklarohen se e dëshirojnë njëra-tjetrën në partneritet për mandatin e ardhshëm qeveritar, por problemi është te ndarja e posteve.

Sfida për arritjen e koalicionit është pozita e presidentit. Ky post do të lirohet në prill të 2021 kur edhe e përfundon mandatin presidenti aktual Hashim Thaçi.

Hashim Thaçi ende nuk është deklaruar për diskutimet e tilla, përveç që ka thirrur seancën për 26 dhjetor.

LDK e kërkon për vete këtë pozitë dhe dëshiron që të bëjë pjesë të marrëveshjes për bashkëqeverisje, derisa LVV po heziton duke thënë se nuk është momenti për të diskutuar për pozitën e Presidentit të vendit.

Mirëpo edhe në rast se pajtohen që LDK të merr pozitën e presidentit, partia e Isa Mustafës duhet të vrapojë te partitë opozitare për të marrë vota, për shkak të numrit të vogël të votave që prodhon ky koalicion.

Rrena e Thaçit: Jam Votuar Prej 2/3 të Deputetëve

Vetëvendosje ka 29 deputetë e LDK 28, bashkë i kanë 57 ulëse. Me minoritet jo serbe, që janë 10, një koalicion i mundshëm mes LVV e LDK plus pakicat i arrijnë 67 vota. Ato janë të mjaftueshme për votimin e Qeverisë, por jo edhe të Presidentit që po e kërkon LDK.

Vetëvendosje në vazhdimësi e ka thënë se nuk do të bëjnë koalicion me Listën Serbe.

Në anën tjetër, dyja palët kanë deklaruar se nëse arrijnë koalicion, do të jetë vetëm LVV e LDK pa partitë tjerë që në mandatin e kaluar ishin në Qeveri si PAN.

Albin Kurti përballet me realitetin e politikës serbe

Pra, në rast se LVV e mban fjalën dhe nuk bënë koalicion me Listën Serbe apo partitë tjerë shqiptare, partitë e PAN, koalicioni i mundshëm do t’i kishte 67 vota.

Presidenti i vendit zgjedhet me 2/3 e deputetëve. Pra duhen 80 vota nga 120 deputetë. Në rast se dështon në 2 rastet e para të arrijë 80 vota, atëherë Presidenti zgjedhet me shumicën e thjeshtë prej 61 vota.

Mirëpo përveç votave, zgjedhja e presidentit ka edhe një kusht tjetër.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të marsit 2011 që lidhej me papranueshmërinë e zgjedhjes së Behgjet Pacollit President, për t’u ngjitur dikush në këtë pozitë, të pranishëm në sallë para votimit duhet të jenë dy të tretat e deputetëve, ose 80 prej tyre.

Kur LDK dhe PDK bashkë qeverisnin bashkë nga 2014, Thaçi ishte bërë president i vendit vetëm në raundin e tretë me 71 vota.

Rrena e Thaçit: Jam Votuar Prej 2/3 të Deputetëve

Mirëpo, të pranishëm kishin qenë 80 deputetë.

Në atë kohë, opozita LVV, AAK e Nisma e kishin lëshuan sallën e Kuvendit, duke tentuar ta pamundësojnë kuorumin e nevojshëm. Përveç partive opozitare Thaçin e kishin bojkotuar edhe deputetë të LDK-së, me të cilët ishte në koalicion.

Një prej tyre kishte qenë edhe kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani.

Mirëpo, disa deputetë i kishin rënë pishman. Kishin deklaruar se nuk do të qëndrojnë në sallë në kohën kur votohet presidenti, derisa ditën e 26 shkurtit të 2016, ata ishin parë në sallën e Kuvendit. Kështu, kishin mundësuar kuorumin e nevojshëm.

Më të komentuarat kishin qenë Alma Lama dhe Margarita Kadriu, të cilat kishin deklaruar se nuk do të marrin pjesë në seancë kur të votohej për presidentit.

Mirëpo, në opinion ka pasur diskutime për “shpërblime” të deputetëve që kanë qëndruar në sallë.

Alma Lama pak muaj më vonë ishte emëruar ambasadore e Republikës së Kosovës në Itali. Ajo ishte shkarkuar nga Hashim Thaçi rreth 2 vite më vonë.

Presidenti Thaçi shkarkoi ambasadoren Alma Lama – Dokument

Ndërsa, përveç Lamës e Kadriut, edhe Arben Gashi i LDK-së kishte qëndruar në sallë, ndonëse kishte deklaruar se nuk do të qëndronte në sallë.

Koalicioni i atëhershëm PDK-LDK kishte pasur 69 vota së bashku. PDK me 36 deputetë, LDK me 33.

Përveç këtyre dyjave pjesë e koalicionit kishin qenë edhe partitë e pakicave që kanë 20 deputetë.

Në rastin aktual, për të votuar presidenti i propozuar nga LDK, kjo e fundit duhet të “flirtojë” me partitë opozitare, të ish PAN-it, për të marrë votat për presidentin e LDK-së.

I duhen edhe 13 deputetë për të qëndruan të paktën në sallë, në mënyrë që të ketë kuorum për t’u votuar presidenti.

Gjatë kësaj jave, KALLXO.com pyeti kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj se a do të qëndrojë AAK në sallë për ta bërë kuorumin.

Haradinaj tha se nuk kanë qëndrim në këtë temë pasi që janë jashtë diskutimeve të LDK-së dhe LVV-së.

“Ne jemi parti opozitare. Nuk jemi pjesë e bisedave dypalëshe Vetëvendosje dhe LDK. Aleanca nuk obligohet nga diskutimet e palëve. Nuk kemi pikëpamje për temën e presidentit pasi që qëndrojmë jashtë. Mendoj që është barrë e z.Kurtit pasi që është fitues i zgjedhjeve”, tha Haradinaj në pyetjen e KALLXO.com

Edhe nëse LVV e LDK pajtohen që presidenti t’i takoj LDK-së, kjo e fundit duhet të gjejë “argatin” që i’a bënë votat. Flirti me deputetët e partive që përbënin PAN-in është i pashmangshëm.

AAK nga zgjedhjet e tetorit numëron 13 deputetë, PDK 24 dhe koalicioni Nisma+AKR 6 deputetë.

Opozita e 2016, kur Thaçi ishte votuar për president, unanimisht kishin lëshuar sallën. Asnjë deputet i opozitës nuk kishte qenë pjesë e Kuvendit.

Opozita e Vendosur për Kundërshtim