Haradinaj: Pas dorëheqjes time nuk duhet të vonohen zgjedhjet
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, pas takimit me anëtarët e koalicionit qeverisës tha se nuk duhet të vonohet procesi i zgjedhjeve.
Ky takim u injorua nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Pas dorëheqjes sime dhe të Qeverisë është më rëndësishme të merren vendime që pasojnë që vendi me shku në zgjedhje e sovrani me vendos. Është bindje e gjithë neve që të mos vonohet procesi. Ka bazë të mire me u dakordu partitë politike për me shpërbë Kuvendin”, ka thënë Haradinaj.
Po ashtu, kryeministri në dorëheqje ka thënë se dhënia e datave për mbajtjen e zgjedhjeve do të shkaktojë pakënaqësi te partitë politike, ndërsa për zyrtarët me aktakuzë ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka një kod etik dhe e respektojnë ligjin.
“Ne si Aleancë e kemi një kod etik. E respektojmë ligjin në fuqi. Çka do që ndalon ligji, e ndalojmë edhe ne”, ka shtuar Haradinaj.
Ramush Haradinaj sot në Qeveri ka pritur në takim disa përfaqësues të komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës.
Haradinaj përmes Facebook-ut ka njoftuar se ndarazi ka pritur deputetët Danush Ademi, Albert Kinolli, Veton Berisha, Etem Arifi dhe Emilia Rexhepi.
“Me deputetin e Partisë Demokratike të Ashkanlive të Kosovës, Danush Ademi, biseduam sot për të arriturat në afirmimin e komunitetit ashkali, si dhe për mundësitë e angazhimit të përbashkët në të ardhmen, drejt avancimit të mirëqenies së këtij komuniteti, në të gjitha sferat e jetës”, thuhet në njërin postim të Haradinajt.
Ndërkaq, për takimin me deputetin Albert Kinollin, nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), Haradinaj ka shkruar në Facebook se ka këmbyer mendime për avancimin e romëve, sidomos në aspektin e arsimimit dhe punësimit.
“Bashkëbisedim me deputetët Veton Berisha dhe Etem Arifi, për proceset dhe sfidat që i kemi përpara. Falë angazhimit të përbashkët konstruktiv, kemi arritur të adresojmë dhe t’iu gjejmë zgjidhje shumë temave me rëndësi për komunitetet egjiptian dhe ashkali në Kosovë”, thuhet në publikimin tjetër të kryeministrit në largim.
Në takimin e Haradinajt me deputeten e Kuvendit të Kosovës dhe kryetaren e Partisë së Re Demokratike (NDS), Emilia Rexhepi, në Facebook kryeministri në dorëheqjes ka shkruar se kanë me diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për shtyrjen tutje të procesit për themelimin e Komunës së Zhupës.
Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit me 19 korrik 2019, pas ftesës që ka marr për intervistim nga Gjykata Speciale.
Ndërkaq, presidenti Hashim Thaçi ende nuk i ka ftuar për konsultim partitë politike, për të dalë nga gjendja e krijuar politike.