BIRN/Internews Kosova Marrin Çmimet Kryesore Vjetore të Gazetarisë 2015

BIRN dhe Internews Kosova kanë marrë tri nga çmimet vjetore të gazetarisë për vitin 2015 në një ceremoni të ndarjes së çmimeve që u mbajt sonte në Prishtinë.

Reportazhi i emisionit Drejtësia në Kosovë “Kanabisi Made in Kosova” i autorit Valdet Salihu u shpërblye në kategorinë e Reportazhit më të Mirë.

Artikulli i Petrit Kryeziut “Prizreni i sunduar nga të fuqishmit e hotelerisë” u vlerësua si Storia më e Mirë në Kulturë.

Në kategorinë e xhirimit më të mirë fitoi kameramani i emisionit Drejtësia në Kosovë, Durim Shala.

Gazetar i vitit për 2015 është shpallur Parim Olluri.

Në çmimet tjera, Ridvan Slivova nga Telegrafi është shpërblyer për fotografinë më të mirë, Saranda Ramaj nga Koha Ditore është shpërblyer në kategorinë Storia më e Mirë në Ekonomi, ndërsa në kategorinë Storia më e Mirë në Sport çmimi është ndarë nga Moral Pozhegu i gazetës Zëri dhe Drin Ejupi i KTV-së.

1

Në këtë ceremoni, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani tha se sot, kur po shpërblehen gazetarët më të mirë në fusha të ndryshme, duhet pasur parasysh se vitin e fundit, 27 gazetarë u kërcënuan me jetë ndërsa dhjetëra të tjerë u shantazhuan e u censuruan në punën e tyre.

3

Ai shtoi se dy vitet e fundit, e sidomos viti 2015 dëshmuan se të bërit gazetari në Kosovë nuk është aspak e lehtë dhe ne nuk jemi plotësisht të lirë në punën tonë.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u bënë thirrje institucioneve që të vënë në funksion mekanizmat ligjor për të krijuar një ambient më të përshtatshëm për zhvillimin e lirisë së shprehjes, si një instrument i rëndësishëm i zhvillimit të demokracisë”, theksoi Shabani.

Prizreni i Sunduar nga të Fuqishmit e Hotelierisë

Ndërsa shefi i Zyrës të BE-së dhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar tha se për Bashkimin Evropian, liria e shprehjes dhe medias është një element jetik i demokracisë.

“Në politikat tona të BE-së, ne e rangojmë atë lart për nga rëndësia si njësi matëse për nivelin e demokracisë dhe progresit në vendet që aspirojnë të bëhen anëtarë të familjes të BE-së. Ne e shohim rolin tuaj si çelës për formësimin e zhvillimeve socio-politike në vendin tuaj. Ne kemi dhe do të vazhdojmë t’ju mbështesim ju”, tha Zhbogar.

Në këtë konkurs, AGK ka thënë se ka pranuar rreth 50 aplikacione nga gazetarë, kameramanë dhe medie të ndryshme të Kosovës.

Aplikacionet janë vlerësuar nga juria e përbërë prej Arbana Vidishiqit, Fatmir Bajramit, Ibrahim Rexhepit, Violeta Hysenit dhe Violeta Oroshit.