BE anuloi projektin 12 milionësh në Kosovë

Përfaqësuesit e Posaçëm të Zyrës së BE-së në Kosovë,  kanë informuar se iu është dashur të anulojnë një projekt prej 12 milion eurove, për ndërtimin e deponisë së mbeturinave të rrezikshme në Kosovë.

“Për fat të keq, së fundmi autoritetet vendore të Kosovës, nuk arritën ta mbështesin projektin”, thuhet në komunikatë.

Projekti parashihte ndërtimin e një objekti që do të ruante mbeturinat e rrezikshme nga e gjithë Kosova, në përputhje me standardet e BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit.

“Projekti “Dizajnimi i Zhvillimit për Ruajtjen e Materialeve të Rrezikshme” ishte përfshirë në Planin e Veprimit të Mjedisit të Kosovës 2011-2020, në Strategjinë e Kosovës për Menaxhimin e Mbeturinave për vitet 2013-2022 dhe në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve.

Aksioni përfshinte ndërtimin e objekteve të magazinimit të mbetjeve të rrezikshme, bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës për vitin 2010. Më pas, projekti ishte përfshirë në Instrumentin e BE-së për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA) 2015. Qeveria duhet të siguronte që projekti për ndërtimin e deponisë së mbetjeve të rrezikshme do të miratohet nga Kuvendi Komunal.”, është sqaruar tutje.

Qeveria fillimisht kishte identifikuar një parcelë toke brenda kompleksit të vjetër ushtarak në Harilaq, të Fushë Kosovës, e cila më pas kishte rezultuar e papërshtatshme pas studimeve paraprake, për shkak të hapësirës së pashpërthyeshme dhe bunkerëve të vjetër, duke e bërë ndërtimin e deponisë të pamundur.

“Pas disa kërkesave nga BE-ja në Kosovë, një lokacion alternativ ishte identifikuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në kuadër të Komunës së Fushë Kosovës. Kuvendi i Komunës e refuzoi ndërtimin e objektit në territorin e saj, duke e lënë BE-në në Kosovë pa zgjidhje përveç anulimit të projektit.

Pa parcelën e tokës, nuk është më e mundur të bartet Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis, një dizajn i detajuar dhe të përgatitet dosja e tenderit, si dhe procedura përkatëse e përzgjedhjes së kontraktuesit të punëve, deri në afatin e dorëzimit të kontraktimit më datën 15 dhjetor të vitit 2019. Në këtë pikë, thjeshtë nuk ka mbetur kohë për identifikimin e parcelës së re dhe për kryerjen e të gjitha aktiviteteve përgatitore (gjeologji, gjeoteknikë, dizajn paraprak, konsultime publike etj.).”, sqaron më tej Zyra e BE-së në Kosovë.

BE-ja shpreh keqardhje për anulimin e këtij projekti, i cili do të ishte një përfitim i madh për të gjithë qytetarët, duke siguruar ruajtjen e duhur të mbetjeve të rrezikshme. Aktualisht, këto mbeturina nuk kanë kujdesin e duhur dhe si të tilla, paraqesin një kërcënim për shëndetin e njerëzve në mbarë Kosovën.

BE ndan pothuajse 100 milion euro në vit si ndihmë financiare për Kosovën. BE mbetet e përkushtuar të punojë ngushtë me Kosovën, duke përfshirë edhe me autoritetet lokale, për të investuar në një mbrojtje më të mirë të mjedisit.

Historiku i projektit nga Zyra e BE-së në Kosovë:

Kosova nuk ka infrastrukturë të përshtatshme dhe një sistem efikas të menaxhimit për mbetjet e rrezikshme, duke përfshirë mbetjet e rrezikshme industriale (IHW), të krijuara sot ose të trashëguara nga e kaluara. Aktualisht ka të dhëna të kufizuara për mbeturinat industriale dhe të rrezikshme, veçanërisht të dhënat për operatorët ekonomikë që gjenerojnë mbeturina të rrezikshme. Përveç kësaj, nuk ka të dhëna për mbeturinat e gjeneruara nga sektori i bujqësisë dhe industria ushqimore. Mbetjet e rrezikshme vazhdojnë të menaxhohen në mënyrë joadekuate duke u shpërndarë në pika të ndryshme, pavarësisht nga rreziku për ndotje, ose ruhen në vende në të cilat nuk merret parasysh ndotja apo parandalimi i ndotjes. Për shkak të aktiviteteve të pakontrolluara të minierave dhe sektorit industrial në të kaluarën, materialet e rrezikshme janë gjithashtu të pranishme në depot e mbeturinave të minierave në një numër vendesh në Kosovë. Vlerësohet se sasia e IHW-së e prodhuar nga industritë ekzistuese është afërsisht 1170 ton në vit, ndërsa sasia totale e IHW-së e gjeneruar (duke përjashtuar IHW-së nga aktivitetet e minierave) është afërsisht 12000 ton në vit. Kjo do të thotë se një sasi e konsiderueshme e IHW-së gjenerohet nga burime shtëpiake ose burime të tjera të paregjistruara.

Qëllimi i projektit të BE-së, me vlerë 12 milionë euro, ishte të mbështeste zhvillimin e një infrastrukture fizike për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme. Projekti përfshinte përgatitjen e inventarit të mbetjeve të rrezikshme, vlerësimin e ndikimit në mjedis, projektimin, mbikëqyrjen dhe ndërtimin e objekteve të magazinimit të përkohshëm në përputhje me standardet, normat dhe praktikat më të mira të BE-së. Këto mbetje, të ruajtura përkohësisht, duhet të ishin trajtuar me anë të asgjësimit përfundimtar në Kosovë ose jashtë vendit, përmes një marrëveshje dypalëshe me një vend të tretë.

Vlen gjithashtu të theksohet se aktualisht ekzistojnë një numër deponish të paligjshme që ndodhen afër zonës ku ishte paraparë të hapet deponia, gjë që mund të paraqesë rrezik për shëndetin.

KALLXO.com kishte raportuar për deklaratën e Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova e cila kishte paralajmëruar se Kosova kishte humbur një projekt milionësh për mbrojtjen e ambientit për shkak të mos përgjegjësisë së zyrtarëve qeveritarë e komunalë në Kosovë.

Shembull i vendosjes së papërshtatshme të materive kimike në zonat të banuara, është edhe protesta që po zhvillohet nga shtatë fshatra të komunës së Pejës, të cilët po kundërshtojnë qëndrimin e disa fuçive me mbetje kimike të cilat sipas tyre, janë të rrezikshme për shëndetin e banorëve të asaj zone.

https://kallxo.com/apostolova-kosova-humbi-projekt-milionesh-per-ambientin-pergjegjes-institucionet-e-kosoves/

https://kallxo.com/banoret-e-7-fshatrave-te-pejes-perseri-do-te-protestojne-kunder-materieve-kimike/