Babë e bir dënohen me burgim për përvetësimin e mbi 270 mijë eurove nga BKT

Xhemajl e Bujar Maliqi, babë e bir – janë shpallur fajtorë dhe dënuar me burgim efektiv nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Bujar Maliqi shpallet fajtor me dënim me burgim 3 vjet  e  gjashtë muaj. Atij do t`i llogaritet edhe koha e paraburgimit, për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare .

Xhemajl Mlaiqi shpallet fajtor me dënim me burgim prej 8 muaj, për veprën penale  manipulim me prova.

Shpalljen e aktgjykimit u bëri gjykatësi Arben Hoti.

Sipas Prokurorisë, Bujar Maliqi, në cilësinë e zyrtarit të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), kishte përvetësuar para në këtë bankë.

Ndërsa babai i tij, Xhemajl Maliqi, i cili po akuzohet se i kishte ndihmuar djalit të tij për t’i fshehur paratë.

Në seancën  gjyqësore të 10 majit 2018, Bujar Maliqi e kishte pranuar fajësinë, ndërsa i akuzuari Xhemajl Maliqi ishte deklaruar i pafajshëm për fshehje të provave, parave dhe pajisjeve të kamerave, të cilat i pandehuri Bujar Maliqi, po akuzohet se i kishte përvetësuar.

Prokuroria për të akuzuarin Bujar Maliqi, e kishte bërë precizimin e aktakuzës, duke hequr veprën penale vjedhje e rëndë dhe duke akuzuar të njëjtin vetëm për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar .

Pas këtij ricilësimi i akuzuari Bujar Maliqi e kishte pranuar fajësinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

https://kallxo.com/dosja-e-prokurorise-si-arriti-punonjesi-i-bankes-ne-podujeve-te-pervetesoi-mbi-270-mije-euro/

Sipas aktakuzës së ndryshuar nga prokurorja Ferdane  Sylejmani, Bujar Maliqi akuzohej se me 10 janar 2014, në cilësinë e personit zyrtar në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT), kishte keqpërdorur pozitën zyrtare, me qëllim që t’i sjell vetit dobi pasurore, kishte përvetësuar para në vlerë prej 284,995.70 euro, 13,827 dollarë, 12,180 franga zvicerane dhe 5,510 funte britanike.

Sipas Prokurorisë, Xhemajl Maliqi, akuzohej për fshehje të provave, parave dhe draiverin me pajisje, të cilat i pandehuri Bujar Maliqi, akuzohet se i kishte  përvesuar në mënyrë të kundërligjshme në BKT.

 

https://kallxo.com/dosja-e-prokurorise-si-arriti-punonjesi-i-bankes-ne-podujeve-te-pervetesoi-mbi-270-mije-euro/

 

Pala e dëmtuar, Banka  Kombëtare Tregtare, për realizmin e kërkesës pasurore juridike u udhëzua në kontest civil.

Po ashtu sipas vendimit të Gjykatës, të dënuarit, obligohen që të paguajnë shpenzimet procedurale veç e veç në shumë prej 200 euro.