Azem Syla para Pallatit të Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Azem Syla Pret Vendimin e Gjykatës

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore Azem Syla është duke pritur vendimin e gjykatës për masë sigurie.

Sipas Tomë Gashit, avokatit të Azem Sylës gjyqtarja e procedurës paraprake Jennifer Seal ka paralajmëruar se do ta shfrytëzojë kohën e përcaktuar ligjore për marrjen e vendimit.

Kodi i Procedurës Penale i lejon asaj që të vendosë për caktim të masës së sigurisë brenda 24 orëve, ndërsa gjatë kësaj kohe Azem Syla do të mbahet në qendrën e ndalimit.

Avokati Tomë Gashi tregoi se çfarë ndodhi në seancën e caktimit të masës së sigurisë.

“Prokurori ka pretenduar se ka fakte se persona të caktuar në emër të Azem Sylës kanë kontaktuar dëshmitarin dhe jo vetë Syla,” tha Gashi pas seancës.

Gashi shtoi më tutje se i mbrojturi i tij nuk mund të lidhet me tentimin e ndikimit në dëshmitarë, ndërsa deklaroi se Azem Syla do të respektojë çdo vendim të gjykatës.

“Syla nuk ka të bëjë asgjë me tentim te dëshmitarët dhe këtë e kemi vërtetuar edhe me dëshmitë që i ka sjellë prokurori dhe ato fotografi… Ne i kemi deklaruar gjyqtares se Syla do ta respektojë çdo vendim të gjykatës dhe nëse ata vërtetojnë se ai ka ndikuar në dëshmitarë, atëherë do të merren masa. Gjyqtarja ka kuptuar se dikush ka kontaktuar dëshmitarët pa lejen e Sylës,” tha Gashi.

Azem Syla u riarrestua sot, tri javë pasi ishte liruar nga paraburgimi.

Riarrestimin e Sylës e konfirmoi edhe EULEX-i pa dhënë detaje për arsyet e këtij veprimi.

http://kallxo.com/arrestohet-azem-syla-tri-jave-pas-lirimit/

52 persona, mes tyre edhe Azem Syla, deputet i PDK-së dhe Nuhi Uka, i cili ka qenë kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë dyshohen për tjetërsim të ish-pronave shoqërore në Çagllavicë dhe Llapnasellë.

Nuhi Uka, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla e Lubisha Vujoviq ishin arrestuar në fund të prillit të këtij viti pas një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

Në aksionin e prillit u kërkua në shtëpi, por nuk u gjet edhe ish-deputeti Azem Syla, i cili u dorëzua në polici dy ditë më vonë.