Nga gjykimi i Naser Kelmendit | Foto: KALLXO.com

Avokati i Naser Kelmendit: Akuza për Vrasje të Hidhet në Mbeturina

Gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare, Besnik Berisha, avokati i Naser Kelmendit tha se akuza për vrasje ndaj të mbrojturit të tij duhet të hidhet në mbeturina.

Berisha i kërkoi trupit gjykues që të refuzojë pjesën e aktakuzës që lidhet me vrasje të rëndë, pasi deklaroi se kur ky trup kishte vendosur për paraburgimin e Kelmendit kishte thënë se “dyshimi i bazuar nuk i përmbush kriteret e përcaktuara të Kodit të Procedurës Penale”.

Më herët Berisha tha se taksapaguesve europianë u ka kushtuar shtrenjtë ky proces gjyqësor dhe gjykata duhet t’u kërkojë falje, pasi në të ka pasur dëshmitarë edhe nga Bosnja e Hercegovina, por edhe dëshmitarë të mbrojtur.

http://kallxo.com/avokati-kelmendit-prokuroria-tu-kerkoje-falje-taksapaguesve-europiane/

Naser Kelmendi akuzohet për vrasje të rëndë, krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Ai krahas shtetësisë kosovare e ka edhe atë boshnjake, ndërsa u arrestua nga policia e Kosovës në majin e 2013-ës, pasi u kërkua me fletarrest ndërkombëtar nga Bosnja.

Pasi Bosnja e Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe as marrëveshje ekstradimi, Kelmendi është duke u gjykuar në Kosovë, por ai ka akuzë edhe në Bosnjë.

Në Bosnjë Kelmendi po akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.

Kur iu lexua aktakuza më 16 janar 2015 Kelmendi u deklarua i pafajshëm, ndërsa e cilësoi aktakuzën një prodhim nga Bosnja.