Naser Kelmendi në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

Apeli shqyrton ankesën e Naser Kelmendit, i dënuar me 6 vite burgim nga shkalla e parë

Duke filluar nga ora 10 në Gjykatën e Apelit do të mbahet seanca për shqyrtimin e ankesave në rastin e Naser Kelmendit, i dënuar nga gjykata e shkallës së parë.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Naser Kelmendin me 6 vjet burg në fund të procesit gjyqësor ndaj tij.

Ai është gjetur fajtor në pikën e akuzës për posedim me qëllim të shpërndarjes së narkotikëve” ndërsa është shpallur i pafajshëm në tetë pika të tjera, përfshirë edhe ato për krim të organizuar dhe vrasje.

Naser Kelmendi akuzohet për vrasje të rëndë, krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Ai krahas shtetësisë kosovare e ka edhe atë boshnjake, ndërsa u arrestua nga policia e Kosovës në majin e vitit 2013, pasi u kërkua me fletarrest ndërkombëtar nga Bosnja.

Pasi Bosnja e Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe as marrëveshje ekstradimi, Kelmendi është duke u gjykuar në Kosovë, por ai ka akuzë edhe në Bosnjë.

Në Bosnjë, Kelmendi po akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.

Kur iu lexua aktakuza më 16 janar 2015 Kelmendi ishte deklarua i pafajshëm, ndërsa e cilësoi aktakuzën një prodhim nga Bosnja.

https://kallxo.com/denohet-naser-kelmendi/