Avokati e Konsideron Emigrant të Akuzuarin për Kontrabandim

Avokati Agim Muhaxhiri tha se i akuzuari për trafikim me migrantë Nexhmedin Krasniqi vetë planifikonte të shkonte në Itali.

Krasniqi akuzohet nga prokuroria se në bashkëpunim me një shtetas bullgar organizoi kontrabandimin e tre personave drejt Italisë, por kjo ndërmarrje mbeti në tentativë.

Sipas avokatit Muhaxhiri që paraqiti kundërshtimet e aktakuzës, i mbrojturi i tij Krasniqi ishte vetëm bashkudhëtar në makinën e cila u ndalua nën dyshimin për trafikim me migrantë.

“…I njëjti vetëm ka komuniku për faktin se edhe vetë i njëjti ka pas me shku si migrant në itali”, tha Muhadri.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Uka, e kundërshtoi avokatin duke thënë se ka mjaft prova kundër të akuzuarit Krasniqi.

“Kemi gjetur se këto prova janë më se të mjaftueshme të cilat mbështesin përtej dyshimin e bazuar se këtu i akuzuari Nexhmedin Hasanaj ka kryer këtë vepër penale”, tha prokurori Uka.

Sipas aktakuzës, Nexhmedin Krasniqi bashkë me një shtetas bullgar kanë pasur për t’i marrë nga 1500 euro prej tre personave me qëllimin që t’i dërgonin në Itali.

Ata ishin nisur nga Gjakova kishin kaluar në Shqipëri, pastaj në Mal të Zi e Bosnjë Hercegovinë, por ishin ndaluar nga autoritet kroate kur tentuan të shkojnë në këtë shtet.

Kroatët kishin arrestuar shtetasin bullgar, ndërsa Nexhmedin Krasniqin bashkë me 3 personat që synonin daljen në Itali u kthyen në fillim në Bosnjë e pastaj në Kosovë.