Foto: Facebook

Autobusët, Edhe 120 Ditë Afat

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, tha se që nga 30 korriku i vitit 2015 ka pasur heshtje të Ministrisë së Financave rreth garancisë shtetërore për blerjen e 51 autobusëve të rinj për Trafikun Urban të kryeqytetit.

Sejdiu, i cili është edhe drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, tha se vetëm pasi është diskutuar kjo temë në “Jeta në Komunë” ka reflektuar Ministria, duke dërguar një letër që sipas tij nuk ka as logjikë ligjore e as financiare.

“Prej datës 30 korrik 2015 përkundër që ne dhe BERZH-i i kemi dërguar email-e, Ministria ka heshtur rreth temës për garanci shtetërore. Vetëm e vetëm kur është bërë kjo temë publike kanë dërguar një letër, e cila nuk ka as logjikë ligjore as logjikë financiare, por është arsyetim dhe tentativë për të gjetë shkaqe të paqëndrueshme për ta blloku projektin e trafikut urban”, tha ai.

Sejdiu më tutje ka theksuar se tenderi për blerjen e autobusëve ka përfunduar ndërsa sipas tij më 16 shkurt ka skaduar validiteti i ofertave nga operatorët që kanë konkurruar.

“Tenderi për blerjen e autobusëve ka përfunduar. Raporti i vlerësimit është dërguar dhe më 16 shkurt është dashtë me kërku zgjatje të validitetit të ofertave nga operatorët që kanë konkurru për shitjen e këtyre 51 autobusëve Komunës së Prishtinës”, tha Sejdiu në një konferencë për medie, duke treguar se ofertat janë valide edhe 120 ditë. [interaction id=”56cca7228f0287d70a6d3761″]

Sipas tij, BERZH-i ka alokuar afër 800 mijë euro grante për trafikun urban për tri tema.

“Tema e parë studimi i fizibilitetit, tema e dytë plani i mobilitetit të qëndrueshëm urban, i cili nuk mund të bëhet pa garancinë e shtetit, pra ata nuk do t’i investojnë ato mjete nëse nuk e marrin garancionin e shtetit. Ky plan i mobilitetit të qëndrueshëm urban na siguron riorganizimin e linjave si dhe intervenimet e duhura infrastrukturore në mënyrë që të sigurojmë një transport publik të duhur në Prishtinë, dhe e treta projekti i ngritjes së kapaciteteve operative dhe financiare të trafikut urban, gjithashtu temë e cila është tenderuar, është finalizuar po nuk mund të ekzekutohet për shkak të mungesës së garancisë shtetërore”, theksoi Sejdiu.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinë theksoi se nëse Ministria vepron sikur në 6 muajt e fundit, atëherë pa garanci shtetërore Komuna nuk mund ta realizojë kredinë në fjalë.

http://kallxo.com/te-gjitha-ballafaqimet-e-komunes-me-qeverine-per-autobuset/