ATK vazhdon kontrollet për pagesat e trustit në kafiteri, radio taksi dhe kompani të sigurimeve fizike

Administrata Tatimore e Kosovës është duke vazhduar me aktivitetet për verifikimin e punëtoreve të padeklaruar dhe mos pagesë të trustit pensional në biznese të ndryshme në të gjithë Kosovën.

Cak i tyre gjatë këtyre ditëve ishin kompanitë për të cilat në KALLXO.com ishte raportuar se kishin një numër të madh të punëtorëve të padeklaruar.

Informacioni i raportuar në KALLXO.com ishte bartur në ATK me kërkesë që të bëhej verifikimi i këtyre punëtorëve.

Katër inspektorë tatimor të ndarë në dy ekipe u angazhuan për zhvillimin e këtij aktiviteti në dy lokacione të ndryshme të Prishtinës.

Aksioni u zhvillua në të njëjtën kohë dhe pjesë e kontrollit ishin tri biznese për cilat u raportuan parregullsi.

Gjatë zhvillimit të aksionit inspektorët hasën në parregullsi tatimore pasi njëri nga bizneset nuk ishte fare i deklaruar.

Për këto parregullsi pronarit të kompanisë iu bë me dije se do të ndëshkohet.

Kontrollet vazhduan në dy bizneset e tjera, aty inspektorët morën të dhënat e punëtorëve dhe të njëjtat mbeten që të verifikohen në data bazën e ATK-së.

Mbi 100 punëtorë në tri biznese të ndryshme ishin kontrolluar edhe muajin e kaluar nga inspektorët e drejtorisë së tatimpaguesve të mëdhenj në ATK.

Ky aktivitet ishte kryer në kompanitë e ndërtimit dhe në to ishte hasur në parregullsi pasi punëtorëve nuk iu kishin paguar me rregull kontributet pensionale.

Përpos mos pagesës së kontributeve në njërin nga këto biznese ishte konstatuar një numër i punëtorëve të padeklaruar.

Që nga fillimi i projektit të përkrahur nga Ambasada Britanike në Kosovë  për rritjen e mbikëqyrjes së shoqërisë civile në Administratën Tatimore e deri më sot, ATK ka shqiptuar mbi 200 mijë euro gjoba nga raportimet e qytetarëve në KALLXO.com

Përpos gjobave të shqiptuara për biznese nga raportimet e qytetarëve ka pasur edhe masa disiplinore të shqiptuara ndaj zyrtarëve të ATK-së.

Pas raportimit të KALLXO.com, ATK e ndëshkon një inspektor