Ilustrim - Kuponët fiskal

Pas raportimit të KALLXO.com, ATK e ndëshkon një inspektor

Një inspektor i Administratës Tatimore në Ferizaj është ndëshkuar pasi nuk e kishte raportuar një biznes që nuk po lëshonte kuponë fiskalë.

Inspektori ishte parë duke darkuar në një nga restorantet e Ferizajt teksa ky restorant po kontrollohej nga zyrtarë të tjerë të ATK-së nga Prishtina.

Biznesi po kontrollohej pasi qytetaret kishin raportuar në KALLXO.com se i njëjti nuk po lëshonte kuponë fiskalë.

Mos raportimi i këtij biznesi nga ana e inspektorit paraqet shkelje disiplinore dhe për këtë shkas ai është ndëshkuar me vërejtje.

Atij i është tërhequr vërejtja nga udhëheqësi i ekipit dhe në rast se veprimi i njëjtë përsëritet pritet që ndaj të njëjtit të merren masa më të rrepta.

Deri te ky vendim ka ardhur pasi KALLXO.com këto informacione i kishte bartur në Divizionin e Standardeve Profesionale në ATK.

Standardet Profesionale e kishin trajtuar rastin dhe kishin ardhur në përfundim se inspektorit në fjalë duhet t’i shqiptohet vërejtja nga udhëheqësi i tij.

Kjo nuk është masa e vetme disiplinore që është shqiptuar nga Administrata Tatimore ndaj zyrtarëve të saj pas raportimeve të KALLXO.com.

Vetëm gjatë vitit 2020, dy zyrtarë të lartë të Administratës Tatimore të Kosovë janë dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsion për hetim pasi KALLXO.com kishte raportuar se dy udhëheqësit e lartë të ATK-së nuk kishin deklaruar lidhjet me biznese.

Pas raportimit të KALLXO.com, ATK e dërgon zv/drejtorin e përgjithshëm në Anti Korrupsion

Dy zyrtarë të tjerë ishin ndëshkuar nga ATK gjatë vitit 2019 pasi për ta ishte raportuar se kishin kryer shkelje të detyrave të punës.

Njëri nga ta ishte ndëshkuar pasi kishte parkuar veturën zyrtare në hapësirat gjelbëruese të Universitetit ndërsa tjetri inspektor ishte ndëshkuar pasi kishte kërkuar favore për një familjar të tij nga inspektoret e ATK-së.

Pas raportimit të KALLXO.com, dënohet inspektori tatimor