Pas raportimit të qytetarëve në KALLXO.com, ATK nisë kontrollet për mos pagesat e trustit të punëtoreve

Në ditën kur zyrtarisht pritet të hapet afati i aplikimit për tërheqjen e 10% të mjeteve në trustit pensional, Administrata Tatimore e Kosovës ka ndërmarrë disa kontrolle në biznese të ndryshme të Prishtinës.

Këto aksione u ndërmorën pasi qytetarë të shumtë të shqetësuar me mospagesën e kontributeve pensionale nga ana e bizneseve kishin raportuar në KALLXO.com dhe ATK.

Këta qytetarë në raportimet e tyre kishin deklaruar se ndonëse kishin punuar me vite të tëra në këto kompani nuk u ishte paguar trusti.

Për verifikimin e këtyre raportimeve të qytetarëve me urdhër të zëvendës drejtorit të përgjithshëm të operacioneve Nijazi Asllani është caktuar drejtoria e tatim paguesve të mëdhenj e njohur si DTM.

DTM si drejtoria e cila kryen inspektimet në kompanitë milionëshe sot si cak kishte kryerjen e kontrolleve në bizneset e ndërtimtarisë të njohura si biznese që mbajnë numrin më të madh të punëtorëve.

Dy inspektorë të kësaj drejtorie që nga mëngjesi i së premtes arritën që të kryejnë kontrolle në katër kompani.

Për më shumë se pesë orë këta dy inspektorë arritën që të marrin të dhënat personale të rreth 100 punëtoreve në këto kompani.

Atyre iu morën emrat, mbiemrat dhe lejet personale në mënyrë që të verifikohet nëse janë të regjistruar dhe nëse kompania ua ka paguar trustin.

Në njërën nga kompanitë e cila iu nënshtrua kontrollit inspektorët konstatuan se punëtorëve nuk u ishte paguar trusti për disa muaj më radhë.

Biznesi u arsyetua me vështirësitë në pandemi, mirëpo deklaroi se para pak ditësh kishte lidhur marrëveshje me ATK-në për kryerjen e këtyre pagesave.

Ditë më parë KALLXO.com raportoi për marrëveshjen e lidhur në mes të biznesit dhe ATK-së për pagesën e trustit të punëtorëve.

Që nga fillimi i projektit të përkrahura nga Ambasada Britanike në Kosovë  për rritjen e mbikëqyrjes të shoqërisë civile në Administratën Tatimore e deri më sot, ATK ka shqiptuar mbi 200 mijë euro gjoba nga raportimet e qytetarëve në KALLXO.com

Përpos gjobave të shqiptuara për biznese nga raportimet e qytetarëve ka pasur edhe masa disiplinore të shqiptuara ndaj zyrtarëve të ATK-së.

Pas raportimit të KALLXO.com, ATK e ndëshkon një inspektor