Foto- RTV21

ATK mbyll 9 lokale të lojërave të fatit, konfiskon 31 pajisje

Departamenti i Lojërave të Fatit të Autoritetit Tatimor të Kosovës ka mbyllur edhe nëntë lokale të lojërave të fatit në qytetin e Suharekës, duke konfiskuar kështu 31 pajisje apo automate të jashtëligjshme.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media të ATK-së.

“Këto lokale janë mbyllur pasi inspektorët kanë konstatuar se lokalet në fjalë veprimtarin e tyre e kanë ushtruar duke mos i plotësuar kriteret e Ligjit për Lojërat e Fatit”, thuhet në komunikatë.

ATK-ja ka njoftuar që nga ky aksion janë konfiskuar 31 automate apo pajisje për lojëra të fatit, njëkohësisht janë lëshuar gjoba në vlerë 5000 euro.

“ Përveç mbylljeve të lokaleve dhe konfiskimeve të pajisjeve për lojëra të fatit, ATK ka iniciuar edhe 4 kallëzime penale ndaj personave të cilët kanë menaxhuar këto lokale”, thuhet në komunikatën e ATK-së.

Ky institucion u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të raportojnë nëse hasin dyshime për veprimtari të jashtëligjshme të lojërave të fatit.