ATK: Deri më tani 516 raste të trajtuara për rritje të çmimeve

Përmes një komunikate për media ATK ka njoftuar se deri më tani kanë pranuar rreth 1809 thirrje nga qytetarët për rritje të çmimeve nga bizneset dhe se deri më tani nga rastet e raportuara në tërësi janë trajtuar 516 raste.

ATK ka sqaruar se diferenca mes numrit të raportimeve dhe numrit të rasteve të trajtuara është pasi që përmes linjave të hapura telefonike në të shumtën e rasteve, për një biznes të njëjtë është raportuar dhjetëra herë.

Pas trajtimit të këtyre rasteve ATK ka njoftuar se nga vizitat në teren, është konstatuar se një numër i konsiderueshëm i bizneseve kanë rritur çmimet e produkteve bazike ushqimore, si dhe atyre farmaceutike.

“ATK në bashkëpunim me organet kompetente, duke përfshirë këtu inspektoriatin e tregut, Prokurorinë dhe Policinë, bazuar në raportet e inspektorëve tatimor do të ndërmarr veprime ligjore”, thuhet në komunikatën për media të ATK-së.

Sipas të dhënave të ATK-së thuhet se denoncimet kryesisht janë për produkte bazike ushqimore: miell, vaj, sheqer si dhe ato farmaceutike si: dezinfektues, alkool dhe sirup për fëmijë e vitaminë C.

Po ashtu, ATK i ka ftuar të gjithë qytetarët që të raportojnë në këto dy linja telefonike: 0800 80 800 e cila është pa-pagesë dhe 038 222 165 e cila aktualisht është me pagesë, për të cilën ATK ka thënë se është duke komunikuar me Telekomin që të mundësohet heqja e tarifës deri në tejkalimin e kësaj situate.

Këto dy linja do të jenë të hapura çdo ditë për raportim nga ora 08:00 deri në orën 22:00.

Pamjet kur ATK konstaton rritje çmimesh në Podujevë

.