Beqiri dhe Haraqija në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Astrit Haraqija nuk Paraqitet në Gjykatë

Astrit Haraqija dhe as avokati i tij Teki Bokshi nuk u paraqitën sot në gjykatë, në gjykimin ku Haraqija bashkë me ish-ministrin tjetër të Kulturës Valton Beqiri, akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa producentët filmikë Armond Morina e Nehat Fejza ngarkohen për mashtrim në detyrë.

Për Haraqinë gjykata mori vendim që në seancën e radhës të sillet me detyrim në gjykatë.

Në seancën e sotme mungoi edhe producenti filmik Nehat Fejza që nëpërmjet avokatit të tij Osman Havolli e kishte njoftuar gjykatën se ndodhej jashtë vendit.

Për mungesë të Haraqisë e Fejzës seanca e sotme ndaj ish-ministrave dhe producentëve u shty, duke u caktuar më 13 dhjetor.

Aktakuza ndaj këtyre katër personave lidhet me mbështetjen që si ministra kulture Haraqija e Beqiri  u bënë filmave “Mysafir në Sofër” dhe “Ndjekja e Larës” të producentëve filmikë Armond Morina e Nehat Fejza.

Ish-ministrat e Kulturës Astrit Haraqija e Valton Beqiri në dhjetor të vitit të kaluar u dënuan me nga 10 muaj burg me kusht, producenti filmik Armond Morina me 6 muaj burg efektiv, ndërsa producenti tjetër Nehat Fejza u shpall i pafajshëm.

Por Gjykata e Apelit në qershor të këtij viti vendosi që rastin e ish-ministrave dhe producentëve ta kthejë në rigjykim, pasi sipas saj themelorja në Prishtinë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare me të cilat shpalli vendimin e vitit të kaluar.

Në këtë gjykim dëshmuan mes tjerësh edhe ish-kryeministrat Agim Çeku e Bajram Kosumi që kryen këtë detyrë në kohën kur Ministria e Kulturës ndau mjete për filmat “Mysafir në Sofër” dhe “ndjekja e Larës”.

http://kallxo.com/agim-ceku-ne-gjykimin-e-ministrave/

http://kallxo.com/kosumi-flet-per-mysafir-ne-sofer/