Foto: KALLXO.com

Aktori e producenti, të akuzuar për mashtrim me filma të paxhiruar, sërish deklarohen të pafajshëm

Armond Morina dhe Nehat Fejza, të akuzuar për veprën penale – mashtrim në detyrë, sërish sot janë  deklaruar të pafajshëm për veprën që u vihet në barrë.

Avokati Osman Havolli gjatë seancës deklaroi  se klienti i tij, Nehat Fejza, për veprën penale për të cilën është akuzuar është plotësisht i pafajshëm. Kjo, sipas avokatit, është vërtetur nga ekspertizat e mëhershme por edhe nga e fundit.

Ndërsa për Armond Morinën, avokati i tij Granit Vokshi tha se Gjykata duhet të marrë për bazë vërejtjen e Gjykatës Supreme në veçanti, lidhur me ekspertizën financiare te ekspertit Riza Blakaj, i cili, sipas tij, ka vërtetuar se i pandehur nga shuma e përgjithshme e mjeteve të marra nga Ministria e Kulturës i ka arsyetuar 94 mijë e 128 euro.

“Ndërsa në këtë ekspertizë askund nuk përmendet se i pandehuri Armond Morina ka prezantuar ndonjë faturë të rreme. Dhe, ne konsiderojmë se është e domosdoshme që eksperti Riza Blakaj të ftohet që të japë sqarime lidhur me ekspertizën e tij”, shtoi avokati.

Në seancën gjyqësore dëshmoi eksperti financiar Xhevdet Krasniqi. Ai tha se ka konstatuar që i pandehuri Nehat Fejza nuk ka obligime të papërmbushura ndaj Ministrisë së Kulturës, “për arsye se konform dispozitave kontraktuese edhe pse me vonesë të madhe i ka dëshmuar obligimet kontraktuale me shpenzimet e krijuara si dhe me kopjen e filmit të cilin e ka punuar dhe sipas shkresave të lëndës i është dorëzuar Ministrisë më 10.5.2011”.

Sipas mendimit të ekspertit Krasniqi, i akuzuari Nehat Fejza ka përmbushur detyrimet kontraktuale ndaj Ministrisë së Kulturës dhe në këtë rast Ministria nuk është dëmtuar.

Lidhur me të pandehurin Armond Morina, eksperti Krasniqi tha se gjetjet e tij gjatë ekzaminimit të provave kanë rezultuar që një pjesë e dokumenteve financiare nuk kanë qenë konform Ligjit të kontabilitetit dhe udhëzimeve financiare dhe rregullave financiare “sepse kanë qenë të panënshkruara, të pavulosura dhe ka pasur raste kur kanë qenë edhe fotokopje dhe si të tilla i kam cilësuar si prova jorelevante”.

“Dhe lidhur me këtë është konstatuar se vlera e këtyre dokumenteve jovalide është në shumë prej 9.351, 21 euro, që së bashku me shumën e pjesës së  parë të dokumentuar në prova financiare, në lartësi prej 5.871.13 euro është në shumë në total prej 15.242.34 euro dhe kam përcaktuar se këto dokumente si të tilla nuk kanë qenë të pranueshme në aspektin e validitetit financiar sipas rregullave të transaksioneve financiare”, tha dëshmitari.

Më tutje Krasniqi shtoi se mungesa e mjeteve të paarsyetuara apo të arsyetuara pjesërisht është në shumën 15.222.34 euro dhe sipas tij, kjo shumë konsiderohet si dëm i Ministrisë së Kulturës.

“Ndërsa pjesa tjetër është e arsyetuar me dokumentacion valid”, shtoi ai.

Sipas aktakuzës Nehat Fejza dhe Armond Morina akuzohen për veprën penale mashtrim në detyrë.

Nehat Fejza sipas aktakuzës së ngritur në prill të vitit 2012, akuzohet se duke qenë pronar i kompanisë “Concordia Pictures” me qëllim që të përfitojë pasuri të kundërligjshme ka prezantuar rrejshëm në MKRS shpenzimet për xhirimin e filmit ‘Power Cutes’ që nuk ishte realizuar, duke përfituar kështu shumën prej 188 mijë euro.

Po ashtu, edhe Armond Morina duke qenë pronar i kompanisë ‘Morina Films’ me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë ka prezantuar rrejshëm në MKRS shpenzimet për xhirimin e filmit ‘Mysafiri në sofër’ që kurrë nuk ishte realizuar, duke përfituar 100 mijë euro.

Pas një ankese të Prokurorisë së Prishtinës, Gjykata e Apelit kishte ashpërsuar dënimin ndaj të akuzuarve duke e dënuar Morinën me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht dhe duke e obliguar kompensimin e dëmit në vlerë prej 100.000 euro për Ministrinë e Kulturës, ndërsa Fejza u dënua me 2 vjet burgim me kusht si dhe u obligua në kompensimin e dëmit për Ministrinë në shumë prej 188.000 euro.

Kundër këtyre aktgjykimeve, kërkese për mbrojtje të ligjshmërisë paraqitën Osman Havolli dhe Arianit Koci, mbrojtësit e dy të akuzuarve. Kjo kërkesë u aprovua nga Gjykata Supreme.

Shkak për aprovimin e kësaj kërkese, sipas Supremes, ishin shkeljet esenciale të gjykatave ndaj dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, Ligjit Penal si dhe shkelje të tjera.

Rigjykimi ndaj aktorit dhe producentit për filmat e paxhiruar