Amfiteatri i Pallatit të Rinisë. Foto: KALLXO.com.

Pas pesë muajve pauzë, Teatri Kombëtar rikthehet me komedinë ‘Club Albania’

Pas pesë muajve pauzë, Teatri Kombëtar i Kosovës rikthehet me premierën e shfaqjes “Club Albania”. Provat për realizimin e kësaj shfaqje janë duke u mbajtur në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, pasi objekti i TKK-së është në renovim.

 Në këtë amfiteatër do të jepet edhe premiera e shfaqjes “Club Albania” e planifikuar për 28 nëntor 2022.

Pas vendimit për renovim të objekti, TKK është transferuar në Pallatin e Rinisë, dhe të gjitha shfaqjet  do t’i shfaq në amfiteatrin e këtij pallati.

Fatos Berisha, regjisori i shfaqjes ka thënë për KALLXO.com se premiera e re do të jetë një shfaqje mjaft argëtuese për publikun.

“Jemi në proces të provave, procesi ka shkuar mirë deri këtu, është grupi shumë i mirë i aktorëve, i bashkëpunëtorëve, si thonë anglisht ‘so far, so good”, besoj se edhe arrijmë me kohë dhe besoj se ia dalim në synimet tona që tekstin e Çajupit, ‘Pas Vdekjes’ ta rikthejmë, të bëjmë diçka mbi të, ne e kemi dramatizuar, ripërpunuar apo rishkruar në një farë mënyre, kështu që do të jetë diçka re dhe diçka e ndryshme e që do të jetë interesante për publikun tonë”-tha ai.

Sipas tij, përkundër mangësive, Amfiteatri i Pallatit të Rinisë është i përshtatshëm për realizmin e shfaqjeve që nuk kërkojnë shumë ndërhyrje teknike.

Berisha thotë se kjo hapësirë, pasi TKK të kthehet në objektin e tij, të mbetet teatër në shërbim të komunitetit.

Pjesë e kësaj shfaqje do të jetë edhe aktori Armond Morina, i cili kthehet të luajë në teatër pas 15 viteve.

Kushtet e këqija që ka funksionuar  TKK-ja bënë që ai të “mungojë” për vite në shfaqjet e këtij teatri.

“E kam një nostalgji, deri diku e kam pas edhe një hezitim (për të aktruar në TKK) për shkak të kushteve, kam dashur në një farë forme edhe në heshtje, me qenë një revoltë e imja ndaj kushteve jo të dinjitetshme, se kur shkonim të luanim jashtë, teatrot ishin aq të pastra, aq të bukura, më të bukura se shtëpitë tona, mirëpo më vinte inat si aktorë shqiptar me na ardhë disa mysafirë e me pas një teatër të varfër. Por, tash meqenëse që po fillon renovimi më erdh natyrshëm me thanë po, bile me dalë në këtë skenë kaq të bukur alternative”- tha ai.

Kushtrim Sheremeti, drejtor i përgjithshëm i TKK-së thotë për KALLXO.com se kushtet në hapësirë e Pallatit të Rinisë të dedikuar për teatrin janë të mira.

“Realisht jemi shumë të lumtur që kemi mundur që për një afat shumë të shkurtër ta adaptojmë këtë hapësirë të Pallatit të Rinisë në një teatër, i cili do të jetë funksional dhe TKK do të zhvillojë veprimtarinë e vet dhe kushtet janë këto që janë, por që janë të mira”- thotë ai.

Ai tha se Teatri Kombëtar është duke punuar edhe për realizimin e dy premierave të tjera, deri në mbyllje të 2022.

Premiera e shfaqjes “Club Albania” është paraparë të jepet në 28 nëntor 20022 në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Në shfaqje, përveç Armond Morinës luajnë edhe: Ard Islami, Teuta Krasniqi, Ylber Bardhi, Maylinda Kosumoviq, Armend Smajli dhe Naim Berisha.

Në qershor ka nisur renovimi i objekti të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Por ende nuk ka një datë të saktë se kur do të kthehet në funksion.