Gjykatësja në trajnim, anulohet seanca për mashtrim me fonde të filmave

Armond Morina dhe Nehat Fejza po akuzohen nga Prokuroria e Prishtinës se kanë mashtruar lidhur me shpenzimet e fondeve nga Ministria e Kulturës për xhirimet e dy filmave që nuk ishin realizuar.

Ata sot ishte paraparë të mbanin seancë gjyqësore, mirëpo ajo u shty.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ishte mungesa e gjyqtares së rastit Suzana Cerkini.

Mësohet se gjyqtarja ka udhëtuar për në Shqipëri lidhur me trajnimin që do të mbahet në Tiranë.

Palët ishin njoftuar paraprakisht se kjo seancë nuk do të mbahet.

Seanca e kaluar me datën 18 shtator 2019, ndaj Armond Morinës  ka dështuar të mbahej për shkak të mungesës së akuzuarit Nehat Fejza.

Sipas aktakuzës, Nehat Fejza dhe Armond Morina  akuzohen për mashtrim në detyrë.

Nehat Fejza sipas aktakuzës së ngritur në prill të viti 2012, akuzohet se duke qenë pronar i kompanisë ‘’Concordia Pictures’’  me qëllim që të përfitojë pasuri të kundërligjshme ka prezantuar rrejshëm në Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shpenzimet për xhirimin e filmit ‘Power Cutes’ që nuk ishte realizuar duke përfituar kështu shumën prej 188,000.00 euro.

Gjithashtu, Armond Morina akuzohet se duke qenë pronar i kompanisë ‘Morina Films’ me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë ka prezantuar rrejshëm në MKRS shpenzimet për xhirimin e filmit ‘Mysafiri në sofër’ që kurrë nuk ishte realizuar duke përfituar 100,000.00 euro.