Armond Morina në gjykatore - 14.02.2020

Armond Morina i shpëton drejtësisë

Armond Morina dhe Nehat Fejzën janë liruar nga akuza që rëndonte mbi ta, pasi Gjykata e Prishtinës e ka refuzuar aktakuzën e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës Armond Morina dhe Nehat Fejza akuzoheshin për veprën penale mashtrim në detyrë.

Armond Morina akuzohej se duke qenë pronar i kompanisë ‘Morina Films’ me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë ka prezantuar rrejshëm në MKRS shpenzimet për xhirimin e filmit ‘Mysafiri në sofër’ që kurrë nuk ishte realizuar, duke përfituar 100 mijë euro.

Nehat Fejza sipas aktakuzës së ngritur në prill të vitit 2012, akuzohej se duke qenë pronar i kompanisë “Concordia Pictures” me qëllim që të përfitojë pasuri të kundërligjshme ka prezantuar rrejshëm në MKRS shpenzimet për xhirimin e filmit ‘Power Cutes’ që nuk ishte realizuar, duke përfituar kështu shumën prej 188 mijë euro.

Pas përfundimit të procedimit gjyqësor dhe pas vlerësimit të gjendjes faktike Gjykata kishte gjetur se nuk bëhej fjalë për veprën penale mashtrim në detyrë por për veprën penale ‘mashtrim me subvecione’.

Pas rikualifikimit të veprës penale Gjykata gjeti se ka arritur parashkrimi absolut i veprës penale për shkak se dënimi i paraparë për këtë vepër është 5 vjet e pasi që  Prokuroria pretendonte se Nehat Fejza veprën penale e ka kryer ne vitin 2006, ndërsa Armond Morina veprën e ka kryer në vitin 2008, atëherë i bie që kanë kaluar  më shumë se 10 vite nga koha e kryerjes së veprës penale.

Palët e pakënaqura u njoftuan se pasi ta marrin aktgjykimin në formë të shkruar kanë të drejtë të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit.

KALLXO.com kishte raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësorë – LINK