Asistim i Dyfishtë i Një të Moshuari

Në ndërtesën e Fakultetit Ekonomik dhe Juridik në Prishtinë ku është e vendosur Qendra e Votimit 1913E, një i moshuar pati ndihmën e dy personave për të votuar.

Së pari, sipas monitolrueses së KALLXO.com, atij iu afrua për t’i ndihmuar për votën një person që edhe më parë kishte asistuar për dikë tjetër.

Ky person nuk u lejua t’i ndihmojë të moshuarit për shkak të asistimit të mëhershëm gjatë votimit të një personi tjetër,pasi me ligj asistimi i një njeriu për dy persona është i ndaluar.

Megjithatë, për t’i ndihmuar të moshuarit u thirr nga jshtë një vajzë.

Por kur i moshuari me asistenten e tij hyri për të votuar në kabinë, te kabina u afrua edhe personi që tentoi t’i ndihmojë të moshuarit duke shikuar se për kënd po voton i asistuari.

 

Zgjedhjet e parakohshme që po zhvillohen sot, u caktuan pasi Kuvendi i Kosovës me një mocion mosbesimi rrëzoi qeverinë më 10 maj.

Të drejtë vote në zgjedhjet e 11 qershorit kanë 1 milion e 872 mijë e 941 votues në 889 qendra votimi.

Votues që kanë të drejtë vote për herë të parë janë 118 mijë e 448 persona, ndërsa nga listat janë larguar 33 mijë e 542 persona të vdekur.

Zgjedhjet do të monitorohen nga 30 mijë vëzhgues, 100 nga ta të BE-së.