Asamblisti Mohon se Gjuajti Kryeministrin me Mollë

Gjatë vizitës së Kryeministrit Isa Mustafa të enjten në Junik disa medie raportuan se ai u gjuajt me mollë nga aktivisti i VV-së Zenel Maloku dhe se Maloku u arrestua për këtë.

Maloku kur foli për KALLXO.com mohoi se të enjten ishte në Junik.

“Për mua ka qenë shqetësim i madh lajmi dje kur është konfirmuar se unë kinse kam gjuajtur  Kryeministrin e shtetit me molla si asamblist i ‘Vetëvendosjes’. Unë në atë kohë as që kam qenë në Junik. Kam qenë në vendin e punës në Postë-Telekomin  e Kosovës-Deçan. Për mua ka qenë shqetësim i madh kur e kanë konfirmuar atë lajm. Nuk e kam bërë unë atë gjest, as nuk i përkas as si individ, as si familje nuk është traditë e jeme me bo atë,”tha Maloku.

Maloku tha se ka respekt për Kryeministrin Mustafa dhe ata që kanë thënë se ai e ka gjuajtur atë janë dashakeqës të shtetit.

“Ne si familje kemi dhënë edhe dëshmor, kemi dhënë për ta formuar shtetin dhe ta ketë shteti Kryeministrin edhe ne me pa kryeministrin e shtetit tonë, e lere mo me dal e me gjuajt me mollë. Këta njerëz që kanë bërë ketë gënjeshtër e kanë bërë për inat personal dhe këta gënjeshtarë nuk e duan as Kryeministrin, as liderin  e vet, nuk e duan as shtetin. Unë përkundrazi kam respekt të madh për Kryeministrin e shtetit për z. Isa Mustafën. Edhe i uroj punë të mbarë dhe suksese në jetë,” u shpreh Maloku.

Pyetjes nëse këto qëndrime të tij bien ndesh me ato të Lëvizjes “Vetëvendosje”, subjektit që i takon, Maloku iu përgjigj me fjalët se secili duhet të respektojë atë që ka votat e qytetarëve.

“Qytetarët duhet për çdo Kryeministër me pasë  respekt. Se ai nuk ka ardhur aty vetë, ka ardhur me votë të qytetarëve pavarësisht cilit subjekt i përket,” tha Maloku.

KALLXO.com kontaktoi edhe zyrtarët përgjegjës për media të Policisë në nivelin qendror dhe lokal por nuk mori përgjigje të qartë për këtë rast.

Xhevat Ibraj, zëdhënës i Policisë Rajonale të Pejës, mohoi sulmin ndaj Kryeministrit.

“Unë s’kam informacione që u sulmu Kryeministri në Junik. Kah i keni marrë ju këto burime s’e di, na e kemi lëshu ni njoftim në raport 24 orësh, aty jane te gjitha,” tha Ibraj.

Lëvizja “Vetëvendosje” së cilës mediet iu referuan kur raportuan për sulmin me mollë ndaj Mustafës dhe arrestimin e Zenel Malokut nuk deshi ta komentojë këtë çështje.

Pyetjes se a është arrestuar të enjten Maloku dhe a e ka sulmuar Mustafën me mollë, zëdhënësi i “Vetëvendosjes” Frashër Krasniqi iu përgjigj me fjalët “Meqë lajmi që ju po i referoheni nuk ka dalur zyrtarisht nga Lëvizja ‘Vetëvendosje’, ne nuk duam të komentojmë për këtë çështje”.