Asamblisti Ferizajas në Konflikt Interesi

Alberton Sahitaj, asamblist i AAK-së në Ferizaj, ka ndjekur rrugën e paraardhësit të tij, Hyzri Delollit, për të cilin pati raportuar emisioni “Drejtësia në Kosovë” se ishte në konflikt interesi duke punuar njëkohësisht në Gjykatë si shërbyes civil dhe si asamblist.

Sahitaj e zuri vendin e bashkëpartikaut të tij Delolli, duke qenë anëtar në Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrje Publike Komunale “Bifurkacioni” dhe kjo sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike nuk lejohet.

Alberton Sahitaj ka thënë për KALLXO.com se nuk e di nëse e ka të ndaluar t`i mbajë njëkohësisht të dyja pozitat dhe se askush nuk i ka thënë se e ndalon Ligji.

“Unë s’e kam ditur dhe as që më ka thënë dikush se unë nuk mund të jem asamblist pasi që kam qenë edhe ushtrues detyre i anëtarit në Bordin e Drejtorëve. Unë tani nuk jam pjesë e atij Bordi, pasi që konkursi është shpallur. Mirëpo, unë s`kam qenë në dijeni që kjo ndalohet me ligj dhe as që më ka thënë dikush se nuk bënë”, ka deklaruar Sahitaj.

Në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal e thonë qartë se Ligji për Ndërmarrjet Publike e ndalon mbajtjen e postit politik dhe të qenit pjesë e bordit të drejtorëve në ndërmarrje publike.

“MAPL konstaton se anëtarët e kuvendeve të komunave nuk mund të ushtrojnë në të njëjtën kohë pozitën e drejtorëve të ndërmarrjeve publike, për shkak të mospërputhshmërisë së funksioneve të tyre. Anëtarët e kuvendeve të komunave cilësohen zyrtarë të zgjedhur publik, sepse janë zgjedhur në këtë pozitë pas një procesi zgjedhor të mbajtur në nivel lokal”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Ndërsa, Gazmend Bytyqi, nga PDK, thotë se Sahitaj është në konflikt të qartë të interesit pasi që “Bifurkacioni” është ndërmarrje publike komunale.

“Kjo paraqet konflikt interesi në bazë të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit të zyrtarëve të lartë publikë dhe njëkohësisht edhe në bazë të Ligjit për Ndërmarrjet Publike një person politik nuk ka të drejtë të jetë anëtar i bordit sidomos në kuadër të relevancës së bordit të drejtorëve sepse “Bifurkacioni” është ndërmarrje publike lokale dhe Kuvendi i Komunës kuptohet organi më i lartë legjislativ në Komunën e Ferizajt”, ka thënë Bytyqi.

Kurse, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Ferizajt, Faruk Guri, ka thënë se nuk e di nëse e ka të ndaluar Sahitaj që t`i mbajë të dyja pozitat dhe as nuk e di nëse kjo çështje i takon Kuvendit Komunal.