Foto-ilustrim

Gjykata e dënon asamblistin e PDK-së në Rahovec për mosdeklarim të pasurisë

Armir Vuçitërna, asamblist i Partisë Demokratike të Kosovës në Asamblenë e Rahovecit nuk e ka bërë pagesën e dënimit me kohë.

Vuçitërna në dhjetor të vitit 2022 ishte dënuar me 200 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë.

Të dënuarit, sipas aktgjykimit, i është dhënë mundësia për të shlyer gjobën brenda afatit ligjor.

Mirëpo, meqë ai nuk e kishte paguar gjobën sipas afatit ligjor, Gjykata e kishte zëvendësuar dënimin e tij me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 10 ditësh.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësi i Gjykatës së Gjakovës, Lekë Muqaj, ka thënë se gjyqtari mbikëqyrës i Degës në Rahovec ka lëshuar urdhëresë për ekzekutimin e këtij dënimi.

“Meqë i dënuari nuk e ka bërë pagesën e dënimit, gjoba i është zëvendësuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dhjetë (10) ditësh. Në bazë të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, gjyqtari mbikëqyrës i Degës në Rahovec, ka lëshuar të gjitha urdhëresat për ekzekutimin e këtij dënimi” – ka deklaruar Muqaj.

Megjithatë, më 23 shkurt 2023, i dënuari është paraqitur vullnetarisht dhe ka paguar gjobën në tërësi.

“I dënuari me datën 23 shkurt 2023 është paraqitur vullnetarisht në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega në Rahovec dhe ka paguar gjobën në tërësi” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Gjakovës.

Pas kësaj, Gjykata ka revokuar të gjitha urdhëresat e lëshuara për ekzekutim.

Në një deklaratë për KALLXO.com, Armir Vuçitërna ka bërë të ditur se vonesa e tij ishte vetëm një ditë dhe se kjo ishte si pasojë e një ndërhyrjeje në sy që kishte pasur.

“Një ditë ka qenë vonesa për pagesën për rastin e mosdeklarimit të pasurisë. Unë jam vonuar vetëm një ditë për pagesën që më ka obliguar Gjykata. Kam shkuar në Gjykatën e Gjakovës dhe kam dhënë deklaratë pse jam vonuar. Vonesa ka ardhë sepse kam pasur një ndërhyrje në sy”- u shpreh Vuçitërna.

Vuçitërna ka mohuar raportimet që kanë qarkulluar në media në lidhje me rastin e tij. Ai ka shtuar se është e absurde të thuhet se është arrestuar, pasi kjo nuk është e vërtetë.

“Është absurde të thuhet se jam arrestuar. Unë nuk kam qenë i arrestuar, as kurrgjë. Kam shku vet në Gjykatë dhe e kam kry pagesën. Gabimi është se kam qenë vetëm një ditë vonesë” – ka përfunduar Vuçitërna.