Mitrovica - Foto: Petrit Rrahmani

Arrihet pajtim gjyqësor në kontestin në vlerë 3.150 euro

Në Gjykatën e Mitrovicës palët ndërgjyqësore kanë arritur pajtim në rastin e kontestit për kompensim dëmi.

Në fillim të seancën e mbajtur sot në këtë Gjykatë palët në kontest u shprehën se janë të gatshme të arrijnë pajtim gjyqësor.

Nga ana e gjyqtarit të rastit Faton Ademi u lejua lidhja e këtij pajtimi gjyqësor bazuar në nenin 3.3 të Ligjit për Procedurën Kontestimore.

Në bazë të këtij pajtimi gjyqësor, u obligua pala e paditur Vasilije Nikiq që në emër të kompensimit të dëmit t’ia paguajë paditësit Erxhan Jahiroviq shumën prej 1.000 euro, si dhe shpenzimet në shumë prej 374 euro.

Gjyqtari Ademi gjithashtu njoftoi palët se ky pajtim gjyqësor ka fuqinë e titullit ekzekutiv.

Kurse përmes kërkesëpadisë Erxhan Jahiroviq kishte kërkuar nga Gjykata që ta obligojë Vasilije Nikiqin që në emër të dëmit që kishte pësuar nga po i njëjti në nëntor të vitit 2014 pas një sulmi fizik në një kafene në veri të Mitrovicës, t’i paguajë shumën prej 3.150 euro.

http://kallxo.com/palet-e-perfshira-ne-aksident-pajtohen-ne-gjykate/

KALLXO.com raportoi edhe për një rast tjetër të arritjes së marrëveshjes për kompensim dëmi në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.