FOTO: Ilustrim

Arrestohet 37 vjeçari nga Kosova që po kërkohej nga 2007-ta

Një person nga Kosova për të cilin është lëshuar fletë-arrest ndërkombëtar është arrestuar sot.

I dyshuari B.M ishte në kërkim të autoriteteve vendore që nga viti 2007, nën dyshimin për ndihmesë në një vrasje të rëndë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit të ndërsjellë të ILECU-t me autoritetet e disa shteteve, ka arritur ta identifikojë dhe njëherit të lokalizojë vendin ku qëndronte i dyshuari B. M, 37 vjeçar, ndaj të cilit ishte lëshuar letër- rreshtimi ndërkombëtar.

“I dyshuari B. M. ishte në kërkim nga autoritetet vendore që nga viti 2007, pasi i njëjti dyshohej se ishte i përfshirë vite më herët në rastin penal ‘ndihmesë në vrasje të rëndë’, dhe që nga viti 2006 ishte dënuar me aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Pejë, me katër vite burgim, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim në  vitin 2004”, thuhet në njoftimin e policisë,

Policia ka njoftuar se në vitin 2007, Gjykata Supreme e Kosovës me aktgjykim ka rritur dënimin nga katër vite,  në 12 vite burgim dhe njëkohësisht me aktvendim ka urdhëruar që i akuzuari të dërgohet në mbajtje të dënimit, mirëpo aktvendimi nuk ka arritur të ekzekutohet, pasi i njëjti dyshohej se ka qenë jashtë vendit.

“Meqë personi i dyshuar dyshohej se ishte jashtë vendit kanë vazhduar procedurat e shpalljes së letër-rreshtimit ndërkombëtar dhe që nga ajo kohë i dyshuari ka qenë në kërkim  ndërkombëtar”, njofton policia.

Policia e Kosovës , përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU-t) dhe njësisë FAST Kosova, në disa shtete të ndryshme të rajonit dhe Evropës kanë bërë kërkimin e personit të dyshuar si dhe kanë verifikuar e  shkëmbyer informacione me interes të përbashkët, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personit të dyshuar.

Ndërsa, në nëntor të vitit 2018 Policia e Kosovës ka pranuar informacion se i dyshuari ndodhej duke punuar në Gjermani, por me identitet të falsifikuar shqiptar dhe për këtë janë kryer verifikimet në dy shtete, në Gjermani dhe në Shqipëri.

Informacionet dhe verifikimet zyrtare kanë rezultuar të drejta dhe FAST Gjermania kishte filluar të merrej me rastin, i cili ka rezultuar me arrestimin e tij gjatë ditës së djeshme.

Policia e Kosovës përmes institucioneve relevante ka filluar me procedurat e ekstradimit të personit të dyshuar.