Interpol - Foto: REL/EPA

Aplikacioni i Kosovës për Interpol dërgohet në Asamblenë e Përgjithshme

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, Komiteti Ekzekutiv i Interpolit me seli në Lyon (Francë) debatoi rreth aplikacionit të Republikës së Kosovës dhe vendosi në favor të dërgimit të dosjës së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithëshme të Interpolit, e cila këtë vit do të mbahet në Kili.

Pacolli përmes një postimi në profilin e tij në Facebook tha se policia e Kosovës, u cilësua në nivelin më të lartë të profesionalizmit dhe kredibilitetit, si organizatë policore moderne dhe me standarde të avansuara.

“Përbërja e Komitetit Ekzekutiv për vitin 2019 nga gjithësej 10 shtete pjesmarrëse, në debatin e sotëm, ishin vetëm tri shtete të cilat e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë dhe pothuajse të gjithë pjesmarrësit argumentuan në favor të aplikacionit të Policisë së Kosovës për të proceduar më tutje në Asamblenë e Përgjithëshme”, tha ministri.

Ai shtoi se shpreson që këtë vit Serbisa mos ta pengojë Kosovën drejt antarësimit të organizatës ndërkombëtare të policisë.

“Prandaj, urojmë që edhe Serbia të i thërret zërit të arsyes dhe të mos veproj me obstruksionet e saj kundër paqës dhe sigurisë.  Do të ishte primitive dhe jashtë çdo logjike, pengimi dhe lobimi kundër antarësimit të Policisë së Kosovës në organizatën nderkombëtare të Interpolit, dhe në anën tjetër të flasësh për paqe dhe siguri”, ka shkruar Pacolli.

Kosova në nëntor të vitit të kaluar kishte dështuar për t’u anëtarësuar në INTERPOL.

https://kallxo.com/interpol-zyrtarisht-tregon-mospranimin-e-kosoves/