Apeli Heq Krimin e Organizuar te Rasti i Pasaportave

Gjykata e Apelit në Prishtinë ua ka ulur dënimin të dënuarve për rastin e tenderit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MBP) për pasaportat biometrike.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit, të cilin e ka parë KALLXO.com, shihet se është ndryshuar vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, konkretisht është hequr vepra penale krim i organizuar dhe se janë zbutur dënimet.

Natali Velija, e dënuar me 12 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave dhe mashtrim, tani është dënuar me dënim unik prej 8 vjet burgim për dy vepra penale – mashtrim dhe pastrim i parave.

Edhe të akuzuarit tjetër Fisnik Blakaj, i cili ishte dënuar me 11 vjet burgim, i është zbutur dënimi. Tani, ai të vuajë 6 vjet burgim për veprën penale të pastrimit të parave.

Dënimet për veprën penale të pastrimit të parave u janë zbutur edhe të dënuarve të tjerë, Betim Blakaj, Ergyn Dogani, Imer Fazlija dhe Nazmi Thaqi.

Nazmi Thaqi dhe Betim Blakaj janë dënuar me nga një vit burgim, ndërsa Imer fazlija me dy vjet, e Ergyn Dogani me pesë vjet burgim.

Jakup Blakqori dhe Sefedin Shala u shfajësuan nga vepra penale për të cilën akuzoheshin – pranim i mallrave të vjedhura.

Natalia

Gjykata e Apelit gjithashtu ka ndryshuar edhe vendimin e Gjykatës Themelore lidhur me kompensimin e palës së dëmtuar, sipas së cilës të dënuarit obligoheshin që ta kompensojnë palën e dëmtuar. Tani, Apeli palën e dëmtuar e udhëzon që kërkesën e saj ta realizojë në kontest civil.

E akuzuara kryesore në këtë rast, shtetasja gjermane, Natali Velija, më 18 dhjetor të vitit të kaluar u dënua me 12 vjet burgim dhe 25 mijë euro gjobë, ndërsa Fisnik Blakaj me 11 vjet burgim dhe shumë të njëjtë gjobe.

Të dy u ngarkuan për t’ia paguar kompanisë austriake OeSD shumën prej 1.4 milion eurove që i mungonte në llogari. Kjo kompani e cila kishte fituar tenderin për prodhimin e pasaportave biometrikë të Kosovës.

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës dhe OeSD kishin nënshkruar kontratë për prodhimin e pasaportave biometrike kosovare, ndërsa nëntë persona, mes tyre Natali Velija e Fisnik Blakaj, akuzoheshin nga prokuroria për për mashtrim lidhur me  1.4 milion euro që MPB-ja duhej t’ia paguante OeSD-së.

Edhe gjashtë të akuzuar të tjerë morën dënime atëherë nga një deri në tetë vjet burg.

Avokati i të akuzuarit, Ergyn Dogani, Skender Musa, tha se e mirëpret vendimin e Apelit, por se do të vazhdojë rrugën në kërkim të pafajësisë.

“Gjykata e Apelit e ka aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtjes duke hequr krimin e organizuar dhe duke dënuar me një dënim më të butë klientin tim nga tetë vjet në pesë. Gjithashtu edhe dënimin alternativ e ka zbritur nga 40 mijë euro në 15 mijë euro. Por, ne mendojmë se edhe në Gjykatën e Apelit nuk është shqyrtuar në mënyrë meritore lënda për shkak se shpëlarja e parave nuk përputhet me dyshimet fillestare në aktakuzë për të mbrojturin tim”, tha Musa.

Avokati tha se do të përdorë mjetet e jashtëzakonshme juridike.

“Ne do t’i përdorim edhe mjetet e jashtëzakonshme juridike kundër këtij vendimi, pasi që konsiderojmë se në rastin konkret kemi pasur një lloj drejtësie selektive dhe në vetë mesin e të akuzuarve nuk janë marrë në mënyrë të njëjtë të gjitha rrethanat edhe lehtësuese edhe rënduese”, tha për KALLXO.com Skender Musa.

http://kallxo.com/12-vjet-burg-per-natali-veliajn/ [interaction id=”56cb52908f0287d70a5fc145″]