FOTO KUVENDI I KOSOVES

Albulena Haxhiu: Nuk ka liberalizim me këtë Qeveri të korruptuar

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha në seancën e jashtëzakonshme, e cila është duke vazhduar, se qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave.

“Nëqoftëse Qeveria e do aq shumë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës atëherë lë të lëshojë rrugë. Duhet ta dimë se nuk bëhet liberalizimi i vizave me këtë shtet të kapur, me këtë qeveri të korruptuar”, tha Albulena Haxhiu në debatin parlamentar për dështimin e liberalizimit të vizave.

Deputetja tha se është e bindur që shumë prej pushtetarëve do të përfundojnë prapa grilave.

“U përmend edhe gazi lotsjellës. Asnjëherë nuk i bi pishman për çdo kundërshtim me dy vendimet. Ne kemi bërë veprime që edhe jemi dënu, kemi marrë dënime që edhe juve me ju bo favor. Ju që e keni votu demarkacionin 81 deputetë a nuk ju vjen pak keq ose ju që keni premtu viza a s’keni pak përgjegjësi. Duhet me pasë moral në politikë. Çka po i duhen qytetarëve njerëz që premtojnë dhe dështojnë. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe qeveria duhet të jetë ajo që rrit zhvillimin ekonomik, e ju prandaj duhet të shkoni në shtëpi”, tha deputetja e Vetëvendosjes.

Në Kuvendin e Kosovës po debatohet rreth dështimit të liberalizimit të vizave.

Partitë opozitare i bënë thirrje pozitës të marrë përgjegjësitë për dështimin me liberalizimin dhe Interpolin.

Partitë opozitare, LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme pas dështimit për liberalizimin e vizave.

Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, tha dje në Prishtinë se qytetarëve të Kosovës mund t’u hiqen vizat në vitin 2020.