Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti - Foto: KALLXO.com

Albin Kurti flet për vizat, kërkon dorëheqjen e Haradinajt, Veselit dhe Hoxhës

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas deklaratës së komisionarit të BE-së, Johannes Hahn, se vizat mund të mos hiqen deri në vitin 2020.

Kurti përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, kërkoi që pas kësaj të japin dorëheqje kryeministri I vendit, Ramush Haradinaj, ministrja e Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha dhe kryekuvendari, Kadri Veseli.

“Për herë të parë një zyrtar i lartë i BE-së përmendi datë për liberalizimin e vizave në Kosovë. Komisioneri për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, foli e tha: viti 2020! Datat e mëhershme për liberalizim në vitin 2018, i kishin premtuar veçse Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe Dhurata Hoxha. Të tre këta duhet të japin dorëheqje.  Po ashtu, ky pushtet ia ka borxh 8.200 hektarë shtetit tonë, të cilat ia dha Malit të Zi”, ka shkruar Kurti.

https://kallxo.com/hahn-e-permend-vitin-2020-per-liberalizimin-e-vizave/?fbclid=IwAR20AI4LTzViBsYJ55liUHtZwu7zxPJaAm4_HHCFMu1XHAFTYcCb5RuDAXA

Ai po ashtu tha se Thaçi është në bisedime me Rusinë.

“E sa për Thaçin, ai mbase tashmë po negocion për liberalizim të vizave për Rusi. Me këta njerëz po na largohet Evropa e po na rrudhet Kosova”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe gjatë ditës se sotme në vizitë ishte komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, i cili është takuar me liderët shtetërore duke kërkuar edhe heqjen e taksës prej 100% për produktet serbe dhe boshnjake.

Në lidhje me këtë kryeministri ripërsëriti se pavarësisht kërkesës së Hahnit nuk do ta largojë vendimin.