Gjykata Themelore në Gjilan

I Akuzuari për Terrorizëm nuk Pranon Fajësinë

Halilli deklaroi pafajësinë pas leximit të aktakuzës kundër tij nga prokurori special Elez Blakaj.

“Ndjehem i pafajshëm dhe nuk pranoj këtë vepër penale që më është vënë në barrë dhe konsideroj që se kam kryer këtë vepër,” tha Halili.

Fjalët e të akuzuarit i mbështeti avokati i tij Abdylaziz Sadiku.

I mbështes pohimet e të mbrojturit tim dhe i propozoj gjykatës që ndaj klientit tim të ndërpritet masa e paraburgimit për faktin se kanë pushuar arsyet ligjore dhe konsideroj se nëse i njëjti do të mbetej në liri nuk do të ndikojë në dëshmitarët e propozuar, pasi që disa prej tyre janë edhe familjarë të të mbrojturit tim,” tha Sadiku.

Ai shtoi se nuk ekziston rreziku i ikjes, pasi sipas tij Halili është kthyer nga Siria dhe nuk dëshiron tē shkojë atje përsëri.

Prokurori i rastit deklaroi se paraburgimi duhet t’i vazhdohet pasi që ende ekzistojnë arsyet ligjore për këtë masë.

“i propozojmë gjykatës qē ta vazhdojë masën e paraburgimit pasi që praktika tregon se duke marrë parasysh natyrën e veprës penale, jo rrallë të njëjtit janë rikthyer në Siri dhe e kanë përsëritur veprën penale,” tha Blakaj.

Kryetari i trupit gjykues Agim Ademi njoftoi palët se kanë të drejtë kundërshtimi të aktakuzës dhe që do të njoftohen gjatë ditës për vendimin lidhur me caktimin e masës së paraburgimit.

Ky është rasti i dytë brenda 3 javësh që në Gjykatën Themelore në Gjilan po trajtohen rastet e terrorizmit.

KALLXO.com më herët ka shkruar për rastin e Florentin Bajramit i cili është dënuar nga kjo gjykatë me 3 vjet burg, e Bajrami pritet të dëshmojë në këtë rast gjyqësor.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com Vilson Halili më 22 qershor 2014 udhëtoi nga Aeroporti i Prishtinës drejt Turqisë, ndërsa një ditë më vonë kaloi ilegalisht kufirin mes Turqisë e Sirisë për t’iu bashkuar organizatës terroriste ISIS.

Në mbrojten e tij të dhënë në prokurori i akuzuari Vilson Halili ka thënë se në fillim të pranverës së vitit 2014 ka njohur disa persona të cilët frekuentonin një xhami ku predikonte vazhdimisht imami  Zeqirja Qazimi.

Halili më tutje ka treguar para prokurorisë se ka takuar një person me emrin Irfan, i cili e kishte shtyrë dhe bindur që të shkonte t’u ndihmonte familjeve siriane. Sipas Halilit ky person e ka dërguar  Aerportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe e ka siguruar se në vendin Adana të Turqisë dikush do të presë atë.

Prokuroria Speciale pretendon se pas një muaji të qëndrimit në Siri Vilson Halili është dërguar të trajnohet në një kamp ushtarak dhe pas 4-5 muajsh është takuar edhe me Floretin Bajramin nga Gjilani, ku pasi kanë kërkuar të ktheheshin në Kosovë ata janë futur në burg për afërsisht një muaj e gjysmë.

Halili e Bajrami ishin liruar nga burgu i ISIS-it vetëm pasi kishin thënë se janë penduar, ndërsa ishin dërguar më pas në qytetin Tabka, ku kishin takuar një njeri që dinte gjuhën angleze dhe ai i kishte përcjellë deri në qytetin Hatai të Turqisë.

Pastaj Halili e Bajrami ishin nisur për Kosovë.

http://kallxo.com/aktakuze-e-re-per-luften-ne-siri/