Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti - Foto: Facebook

AKR Pak e Interesuar për Koalicion me Vetëvendosjen

Pas koalicionit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në kuadër të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Lëvizja Vetëvendosje synon të lidhë aleancë edhe me Aleancën Kosova e Re (AKR).

Asamblisti nga radhët e AKR-së, Remzi Pacolli, thotë për KALLXO.com se pavarësisht faktit që ka presion nga LVV, partia ende nuk ka vendosur për një koalicion të mundshëm.

“Ma shumë janë thashetheme. Partia ende nuk ka vendosur në këtë proces. Presion prej Vetëvendosjes ka por AKR-ja pak është e interesuar me bo koalicione”, tha Pacolli për KALLXO.com.

Ai thotë se edhe atyre u është premtuar një drejtori nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Na kanë premtuar Drejtorinë e Zhvillimit Rural, mirëpo AKR-ja ende nuk ka vendosur nëse do të bëjë një koalicion me LVV-në”, u shpreh ai.

Ndërkaq, as asamblisti nga Vetëvendosje, Qëndron Kastrati, nuk e mohon faktin se Aleancës Kosova e Re i është bërë ofertë për koalicion.

Ai tha që Lëvizja Vetëvendosje e ka dhënë miratimin për këtë bashkëpunim.

“Në këshillin e përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje është dhënë miratimi për këtë koalicion me këto dy subjekte d.m.th. me AAK-në dhe AKR-në, edhe vetëm është çështje e diskutimeve se s’jemi konkretizuar për këtë marrëveshje”, tha Kastrati për KALLXO.com

Kastrati tha që ata kanë marrëdhënie të mira me të gjitha partitë në Kuvendin Komunal përveç me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës.

“Në Kuvendin Komunal janë diku rreth 8 subjekte. Vetëm dy prej tyre janë kundër dhe po tentojnë me e blloku kryetarin Shpend Ahmeti, pra, LDK dhe PDK. Ne kemi treguar që me të gjitha subjektet tjera kemi bashkëpunim të mirë edhe varësisht prej madhësisë së tyre në Kuvendin Komunal jemi shprehur të gatshëm për me bë marrëveshjen për koalicion”, thotë ai.

Për KALLXO.com ai tha se përveç LDK-së të gjitha subjektet janë shprehur të interesuara për bashkëpunim.

“Realisht të gjitha subjektet janë shprehur të interesuara për bashkëpunim dhe me hy në qeverisje me ne, përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në të kalumen edhe PDK-ja ka shprehë interesimin”, u shpreh Kastrati.

Në Kuvendin Komunal, AKR ka katër këshilltarë.

http://kallxo.com/shpend-ahmeti-riformatizon-qeverine-komunale/