RTK, Prishtine. 21 maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

AGK Reagon Ndaj Deklaratave të VV-së për RTK-në

AGK thotë se ka përcjellë me kujdes të gjitha akuzat të cilat VV i ka bërë ditëve të kaluara ndaj drejtorit gjeneral të RTK-së, Mentor Shala si dhe kryeredaktorit të këtij mediumi, Ridvan Berisha.

“Ne jemi të shqetësuar me gjuhën e përdorur nga Vetëvendosje.  Kundërshtojmë çdo formë të presionit dhe linçimit që po bëhet ndaj udhëheqësve të mediumit publik. Këto akuza dhe linçime kanë ndikim të drejtpërdrejt në punën e RTK-së, si dhe prekin të gjithë kolegët gazetarë të këtij mediumi”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Po ashtu AGK u ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që t’i tërheqë akuzat e vazhdueshme dhe të kujdeset që kundërshtimet që i ka “t’i bëjë në mekanizmat përkatës”.

“Një gjuhë e tillë nuk guxon të përdoret në raport me mediat e aq më shumë nuk duhet të vije nga subjektet politike. E vetmja zgjidhje është puna më intensive e institucioneve të Kosovës në zbardhjen e të gjitha rasteve. Është fatkeqësi që ende hetuesia nuk ka arritur që t’i zbulojë të dy rastet e hedhjes së bombave, njëra në drejtim të objektit të RTK-së si dhe tjetra në shtëpinë e drejtorit të mediumit publik”, thuhet më tutje në reagim.

Sekretari i LVV-së, Dardan Molliqaj në një konferencë të mbajtur të enjten në lidhje me arrestimin dhe mbajtjen e aktivistëve të LVV-së në paraburgim akuzoi RTK-në dhe Mentor Shalën se është “nismëtar i propagandës mediatike, të njëanshme dhe të padrejtë ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje”.

Polemikat vazhduan kur Shala e kërkoi nga Molliqajn që të tregojë se kush qëndron prapa këtyre sulmeve, ndërsa i bëri thirrje policisë e prokurorisë të flasin për hetimet në këto raste.

“Sipas informacioneve që i kemi prokuroria e di saktë kush e sulmoi RTK-në dhe shtëpinë time, por nuk po guxojnë të ndërmarrin masa. Nuk po muj me besu që deri ku kanë arritë me fut frikën çiftat e Dardan M”, tha Mentor Shala në një postim në Facebook.