Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri - Foto: KALLXO.com

Abelard Tahirit i ndikon në 'kuletë' ndryshimi nga këshilltar në ministër

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në deklarimin e tij të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se posedon pasuri të paluajtshme vlera e së cilës është 1 milion e 78 mijë euro.

Në pasurinë e paluajtshme të Tahirit, hyjnë dy shtëpi banimi, një lokal afarist, një tokë prej 5 ari një tokë tjetër dhe një shtëpi malore.

Në deklarim të pasurisë nuk thuhet se Tahiri posedon pasuri të luajtshme.

Të hyrat vjetore të Ministrit të Drejtësisë sipas deklarimit në AKK, janë 18 mijë euro nga pozita e tij e ministrit.

Tahiri ka deklaruar të hyra edhe nga qiraja e disa lokaleve afariste, shuma e së cilës është 15 mijë e 828 eurove.

Në emër të bashkëshortes së tij, Tahiri ka deklaruar pagë nga Ministria e Bujqësisë, vlera e së cilës është 4 mijë e 320 eurove.

Nëse bëhet krahasimi me pozitën e vitit të kaluar kur ishte këshilltar politik i Presidentit Hashim Thaçi dhe merrte pagë vjetore prej 22 mijë e 99 eurove, Tahiri tani merr rreth 4 mijë euro më pak në vit si ministër.