Gjykimi për vrasjen e policit | Foto: KALLXO.com

21 vjet burg të akuzuarit për vrasjen e policit në Skenderaj

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicë s sot u shpall aktgjykimi kundër Maliq Birinxhikut, i akuzuar për vrasjen e policit Valon Goxhuli në  shtator të  vitit 2015.

Shpallja e aktgjykimit u bë  nga gjyqtari Beqir Halili.

Me rastin e shpalljes se aktgjykimit ai njoftoi palët prezente se i akuzuari Maliq Birinxhiku shpallet fajtor  për veprën penale “vrasje e rëndë”, për të cilën i është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 20 vjetësh.

Ndërsa për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” Birinxhiku është dënuar me dy vjet burgim.

Atij gjyqtari Halili ia shqiptoi pastaj dënimin unik në kohëzgjatje prej 21 vjetësh, në  të  cilën do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 11 në nëntori i vitit 2016.

I akuzuari Maliq Birinxhiku është liruar nga akuza për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, gjatë së cilës u plagos i dëmtuari Arsim Fejza.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës e akuzonte Maliq Birinxhikun se në shtator të vitit 2015 në Skenderaj, në afërsi të stacionit të autobusëve, me dashje me qëllim hakmarrjeje, kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Valon Goxhuli.

Sipas aktakuzës, pasi i ndjeri Valon Goxhuli kishte vrarë Bekim Birinxhikun, vëllain e tani të akuzuarit Maliq Birinxhiku.

Valon Goxhuli, ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, në maj të vitit 2015, nga akuza për vrasjen e Bekim Biringikut në nëntor 2013, pas një zënke që kishin pasur të dy, vrasja ishte cilësuar si vrasje në mbrojtje të nevojshme.

Tutje në aktakuzë thuhet se Maliq Birinxhiku ky në shenjë hakmarrjeje derisa viktima kishte dalë me veturën e tij së bashku me bashkëshorten dhe mikun e tij Arsim Fejza, nga vetura “Ford Focus” me targa gjermane të cilën e drejtonte një njeri i paidentifikuar, ka shtënë me pushkë automatike duke i shkaktuar tani atij plagë vdekjeprurëse dhe duke rrezikuar jetën e bashkudhëtarëve dhe qytetarëve tjerë kalimtarë të rastit si dhe duke shkaktuar dëme materiale.

Po ashtu, sipas aktakuzës, të pandehurit me automjet kishin ikur në drejtim të rrugës që shpie në fshatin Llaushë dhe kishin shkuar në varrezat e fshatit Çubrel ku kishte qenë i varrosur Bekim Birinxhiku. Aktakuza thotë se aty i akuzuari kishte zbrazur një rafal të automatikut e pastaj kishin ikur në drejtim të magjistrales Mitrovicë – Istog.