Foto-ilustrim

20 Vjet Burg për Vrasje

Një zënkë që ka ndodhur në lokalin “Peshku” më 8 prill të këtij viti kishte përfunduar në përdorimin e armëve dhe si pasojë e plagëve të marra aty dy ditë më vonë kishte ndërruar jetë Ismet Bahtiri.

Për dy pika të akuzës, vrasje e rëndë dhe tentim vrasje, Gjykata Themelore në Prishtinë, i shqiptoi dënim unik prej 20 vjet burgim të akuzuarit Bekim Saraqi.

Sipas aktakuzës, ngjarja e rëndë ndodhi në lokalin në rr. “28 Nëntori”, afër Postës në lagjen “Dardania”, ku pas zënkës verbale në mes të pandehurit Bekim Saraqi dhe tani të dëmtuarve Ismet Bahtiri dhe Daut Qadraku dhe rrahjes në mes tyre, i akuzuari ka shkuar deri tek automjeti i tij dhe është kthyer me revole.

Më tej, sipas aktakuzës, Bekim Saraqi, përkundër lutjeve të shokut të tij, Zenel Avdiu që të mos gjuajë, ka shtënë në Daut Qadrakun, të cilin e ka plagosur në pjesën e gjurit të majtë.

Sipas aktakuzës, plagosja e Qadrakut nuk ishte veprimi i vetëm i të akuzuarit.

Po ashtu, sipas aktakuzës, tashmë i ndjeri, Ismet Bahtiri, ka dalë para të pandehurit duke e lutur të mos gjuante, mirëpo i pandehuri ka shtënë edhe në të, duke e plagosur në pjesën e kraharorit. Nga plagët e marra Ismet Bahtiri dy ditë më vonë ka ndërruar jetë në QKUK.

Gjykata me rastin e shpalljes së aktgjykimit të akuzuarit i vazhdoi edhe masën e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e vendimit.