Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

25 vjet burg për vrasjen e gruas dhe plagosjen e mikut shkaku i xhelozisë

Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Ragip Gashin me 25 vjet burg nën akuzat për vrasjen e gruas së tij Miradije Gashit dhe plagosjen e mikut të tij.

Për vrasjen e bashkëshortes Gashi u dënua me 18 vjet burgim ndërsa për plagosjen e mikut gjykata e dënoi me 7 vjet burg. Ai mori edhe një vit tjetër urg për akuzën për armëmbajtje pa leje.

Gashi akuzohej se në mënyrë dinake e kishte privuar nga jeta gruan e tij Miradie Gashi.

Vrasja sipas aktakuzës ishte nxitur për shkak të motiveve të ulëta të xhelozisë.

Ngjarja kishte ndodhur me 21 dhjetor 2016.

Aktakuza thotë se natën kritike Miradie Gashi kishte shkuar mysafir te familjaret e saj dhe atë natë, i pandehuri Ragip Gashi e kishte thirrur në telefon për ta marrë në shtëpi.

E ndjera i kishte besuar bashkëshortit dhe me përcjellje të vëllait të saj ishte nisur tek ai i cili po e priste në rrugë.

Sipas Prokurorisë, Ragip Gashi kishte qëllime të tjera, pasi në duar po e mbante revolen.

Pasi ishin afruar viktimat, papritmas i pandehuri u kishte dalë përballë dhe me dy plumba në gjoks e kishte qëlluar bashkëshorten e tij. Njëri nga plumbat e kishte goditur në zemër e që ishte fatal për jetën e Miradije Gashit.

I plagosur kishte mbetur edhe Xhevdet Hetemi i cili e kishte përcjellë motrën e tij. Aktakuza thotë se i pandehuri pasi e kishte qëlluar bashkëshorten ka shtënë edhe në drejtim të mikut duke e qëlluar dhe i ka shkaktuar plagë të rënda dhe të rrezikshme për jetën.