Statuja e Ibrahim Rugovës në qendër të Prishtinës | Foto: Atdhe Mulla

12 Vjet Pa Presidentin Rugova

Sot shënohet 12 vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore.

Në përvjetorin e 12-të të vdekjes së tij do të bëhen homazhe tek varri i tij në Velani dhe te familja Rugova, ndërkaq në ora 12:00 në hotelin “Emerald” do të mbahet edhe një akademi përkujtimore.

Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi atë me urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.

Dr. Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut.

Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. /21Media