Studimi: Ushtrimet fizike në moshë të re e reduktojnë për 40% rrezikun nga kanceri

Analiza e të dhënave nga më shumë se një milion burra zbuloi një lidhje të fortë midis aftësisë së mirë kardiorespiratore dhe një rreziku më të ulët të zhvillimit të kancerit.

Të qenurit në formë të mirë fizike gjatë moshës rinore mund të rezultojë në një shans prej 40 për qind më të ulët për t’i zhvilluar një sërë kanceresh, ka zbuluar një studim i madh afatgjatë.

Hulumtimi, i cili përfshinte analizën e të dhënave nga më shumë se një milion burra, zbuloi një lidhje të fortë midis aftësisë së mirë kardio-respiratore në një moshë më të re me rrezik më të ulët për t’u prekur nga kanceri.

Njerëzit me ushtrime të mirë kardiorespiratore janë në gjendje të bëjnë ushtrime aerobike si vrapimi, çiklizmi dhe noti për periudha të gjata kohore sepse kanë kapacitet të shëndetshëm të zemrës dhe mushkërive.

Duke i publikuar gjetjet në British Journal of Sports Medicine të martën, studiuesit zbuluan se fitnesi i fortë kardiorespirator lidhej me një shans më të ulët të zhvillimit të kancerit të kokës dhe qafës, ezofagut, stomakut, pankreasit, mëlçisë, zorrëve, veshkave dhe mushkërive.

Studiuesit i përdorën të dhënat e regjistrit suedez për rekrutët ushtarakë që filluan shërbimin e tyre ushtarak midis viteve 1968 dhe 2005, pasi rekrutët iu nënshtruan testeve standarde fizike në fillimin e shërbimit të tyre kur ishin midis moshës 16 dhe 25 vjeç.

Testet përfshinin gjatësinë, peshën, presionin e gjakut, forcën muskulare dhe aftësinë kardio-respiratore.

Fitnes më i lartë kardio, rrezik më i ulët i kancerit

Gjetjet tregojnë se personat me nivele të ulëta të fitnesit kardio-respirator kishin pak më shumë gjasa të ishin obezë, më shumë gjasa të kishin një histori të keqpërdorimit të alkoolit dhe substancave dhe të kishin prindër me arritje më të ulëta arsimore sesa rekrutët me një nivel më të lartë fitnesi.

Analiza përfundimtare zbuloi se 84,117 nga 1,078,000 burrat në studim kanë zhvilluar kancer në të paktën një vend gjatë një periudhe mesatare monitorimi prej 33 vjetësh.

Krahasuar me burrat me një nivel të ulët të fitnesit gjatë rekrutimit, fitnesi më i lartë kardiorespirator u shoqërua në mënyrë lineare me një rrezik më të ulët të zhvillimit të llojeve specifike të kancerit.

Një total prej 365,874 rekrutësh kishin një nivel të ulët të aftësisë kardiorespiratore; 519,652 kishin një nivel të moderuar; dhe 340,952 kishin një nivel të lartë.

Midis rezultateve, niveli më i lartë i aftësisë kardiorespiratore u shoqërua me një rrezik 39 për qind më të ulët të kancerit të ezofagut, një rrezik 40 për qind më të ulët të kancerit të mëlçisë dhe një rrezik për 42 për qind më të ulët të kancerit të mushkërive.

Megjithatë, niveli më i lartë i ushtrimeve fizike lidhej gjithashtu me një rrezik 31 për qind më të lartë të kancerit të lëkurës, gjë që studiuesit sugjerojnë se mund të jetë për shkak të rritjes së ekspozimit ndaj dritës së diellit.

“Ky studim tregon se fitnesi më i madh tek të rinjtë e shëndetshëm shoqërohet me një rrezik më të ulët të zhvillimit të nëntë nga 18 kancere specifike të hetuara, me shkallët më të rëndësishme të rrezikut klinikisht në traktin gastrointestinal,” shkruajnë autorët e studimit.

“Këto rezultate mund të përdoren në politikëbërjen e shëndetit publik, duke evforcuar më tej nxitjen për promovimin e ndërhyrjeve që synojnë rritjen e [fitnesit kardiorespirator] tek të rinjtë”.

Ndërsa ata vërejnë se është vetëm një studim vëzhgues, kështu që nuk mund të nxirren konkluzione konkrete në lidhje me shkakun dhe efektin, studiuesit theksojnë se gjetjet janë pasqyruar në udhëzimet e Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike mbi stërvitjen gjatë trajtimit të kancerit./Euronews