Raporti: Ndihma për shëndetin mendor për fëmijët nën pesë vjeç është anashkaluar

Ka prova që ndërhyrja shumë herët mund të ndihmojë në ndalimin e shfaqjes ose përkeqësimit të kushteve.

Më shumë mbështetje nevojitet për t’i parandaluar që foshnjat dhe fëmijët e vegjël të zhvillojnë probleme të shëndetit mendor në jetën e mëvonshme, thonë mjekët kryesorë.

Raporti i tyre tregon se ka prova në rritje se ndërhyrja shumë e hershme – nga ngjizja deri në moshën pesëvjeçare – mund të ndihmojë në ndalimin e shfaqjes ose përkeqësimit të kushteve.

Kolegji Mbretëror i Psikiatrisë (The Royal College of Psychiatrists) po bën thirrje për më shumë shërbime të specializuara.

Qeveria thotë se shëndeti mendor i fëmijëve dhe prindërve është parësor.

Zyrtarët thonë se ata po investojnë më shumë në zgjerimin e shërbimeve të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor, NHS, krahas programeve të financimit të krijuara për të mbështetur fëmijët dhe kujdestarët.

Të dhënat e NHS tregojnë se rreth 5% e fëmijëve dy deri në katër vjeç luftojnë me ankthin, çrregullimet e sjelljes dhe kushtet neurozhvillimore, duke përfshirë ADHD.

Raporti The Royal College of Psychiatrists sugjeron se gjysma e kushteve të shëndetit mendor lindin në moshën 14 vjeç dhe shumë prej tyre fillojnë të zhvillohen në vitet e para të jetës, duke e bërë veprimin e hershëm “jetik”.

Dr Trudi Seneviratne, nga The Royal College of Psychiatrists, RCPsych, thotë se shumica e fëmijëve nën pesë vjeç me probleme të shëndetit mendor nuk po marrin nivelin e mbështetjes së nevojshme “për t’i ndihmuar ata të bëhen të rritur produktivë, funksionalë dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë”.

Duke shtuar se “Periudha nga konceptimi deri në moshën pesë vjeç është thelbësore për sigurimin e zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve në moshën madhore.

“Për fat të keq, këtyre viteve shpesh nuk u jepet rëndësia që duhet të kenë dhe shumë njerëz nuk janë në dijeni se cilat shenja duhet të kenë kujdes”.

“Prindërit, kujdestarët dhe shoqëria në tërësi kanë një rol tejet me rëndësi për të luajtur. Kjo përfshin sigurimin e marrëdhënieve pozitive dhe të një mjedisi edukues që është përkrahës ndaj blloqeve ndërtuese të zhvillimit social, emocional dhe njohës të një fëmije”.

Dr Seneviratne thotë se kushdo që shqetësohet për problemet e vazhdueshme të sjelljes së një fëmije ose problemet e ngrënies dhe gjumit duhet të kërkojë këshilla shëndetësore.

Ekspertët e The Royal College of Psychiatrists sugjerojnë një sërë mënyrash për t’i parandaluar problemet e shëndetit mendor tek foshnjat dhe fëmijët, duke përfshirë mbështetjen për nënën gjatë shtatzënisë, punën me prindërit për të promovuar lidhjen me fëmijën e tyre dhe rekomandimin e programeve prindërore në fazat e hershme të jetës së fëmijës.

Ata thonë se shumë faktorë mund ta rrisin rrezikun e zhvillimit të problemeve në fëmijëri, të tilla si abuzimi me alkoolin ose substancat gjatë shtatzënisë dhe përvojat negative në fëmijëri, duke përfshirë dhunën në familje, neglizhimin dhe abuzimin fizik dhe emocional.

Raporti i gjerë mbështetet nga disa organizata, duke përfshirë Unicef UK, Kolegjin Mbretëror të Pediatrisë dhe Shëndetit të Fëmijëve dhe Kolegjin Mbretëror të Obstetërve dhe Gjinekologëve.

Joanna Moody, nga UNICEF në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se “Shëndeti mendor në foshnjëri dhe fëmijërinë e hershme shpesh neglizhohet, por ai vendos themelet për të ardhmen e një fëmije”.

Ajo shton se raporti ofron “një bazë të fortë prova për veprim për t’i dhënë përparësi shëndetit mendor që nga fillimi i jetës së fëmijëve”.

Sipas saj, shumë shërbime kanë një “rol jetik” në mbështetjen e shëndetit mendor të fëmijëve, duke përfshirë arsimin e hershëm, shërbimet sociale, maternitetin, vizitat shëndetësore dhe kujdesin parësor./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala