Përdorimi i Ketaminës për depresion: Mjet i ri, pyetje të reja

Ketamina më herët është përdorur kryesisht si mjet anastezik në fushë beteja dhe dhoma operimi. Tani ky medikament po fiton territor si trajtim premtues për disa raste të depresionit të rëndë, që konsiderohet si një nga shkaqet kryesore të paaftësisë për punë në botë. Vetëm në SHBA, matjet e fundit tregojnë se 16 milionë të rritur kanë kaluar së paku një episod të depresionit të madh brenda një viti.

Shkalla e vetëvrasjeve po ashtu është rritur nga viti 1999 deri 2016 deri në 30% në 25 vende.

Për shkak të veprimit të shpejt, ketamina mund të luaj rol në parandalimin e vetëvrasjeve.

 Pse po konsiderohet ketamina si premtuese për trajtimin e depresionit?

Nëse një person përgjigjet ndaj ketaminës, në shkallë të madhe mund të ulë vetëvrasjet (mendimet dhe veprat për të lënduar veten) dhe të lehtësojë simptoma tjera serioze të depresionit.

Ketamina po ashtu mund të jetë efektive për trajtim të depresionit i kombinuar me ankth.

Trajtime tjera për mendime vetëvrasëse dhe depresion shpesh marrin javë madje dhe muaj për të pasur efekt.

A ka lloje të ndryshme të ketaminës?

Dy lloje kryesore të ketaminës përdoren për të trajtuar depresionin e madh që nuk i është përgjigjur dy ose më shumë ilaçeve (depresioni rezistent ndaj trajtimit).

‘Racemic ketamine’, që më së shumti jepet si infuzion, kjo shpesh quhet edhe si intravenoz, ose IV ketamine. Ky lloj është përzierje e dy molekulave: Ketamine ‘R’ dhe ‘S’.

Derisa kjo është aprovuar dekada më parë si një anestetik nga FDA (Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve), përdoret jashtë etiketës për të trajtuar depresionin.

‘Esketamina’, e cila u aprovua nga FDA në mars të viti 2019, jepet si sprej për hundë dhe përdor vetëm molekulën ‘S’.

Të dy këto lloje të ketaminës veprojnë ndryshe me receptorët e trurit.

Dhënia e ketaminës dhe lloji i saj ndikon në efektivitetin dhe efektet e saj anësore, kjo për shkak se ende nuk dihet se cili lloj është më efektiv ose sa mund të dallojnë efektet anësore.

Si funksionon ketamina?

Nuk është ende plotësisht e qartë si funksionon ketamina, për shkak se ushtron një efekt antidepresiv përmes një mekanizmi të ri, ketamina mund të ndihmojë njerëzit të menaxhojnë me sukses depresionin kur trajtimet tjera nuk kryejnë punë.

Një nga shënjestrat e mundshme për ketaminën janë receptorët NMDA (N-methyl-D-aspartate) në tru. Duke u lidhur me këta receptorë, ketamina si duket rrit sasinë e një neurotransmetuesi të quajtur ‘glutamate’ në hapësirat mes neuroneve.

Glutamate më pas aktivizon lidhjen në një tjetër receptor, i quajtur AMPA. Së bashku, bllokimi fillestar i receptorëve të NMDA dhe aktivizimi I AMPA dërgon në lëshimin e molekulave tjera që ndihmojnë neuronet të komunikojnë me njëra tjetrën në rrugë të reja.

I njohur si ‘sinaptogjeneza’, ky proces si duket ndikon në humor, mënyrën e mendimit dhe vetëdije.

Ketamina mundet po ashtu të ndikojë depresionin në mënyra tjera. Për shembull, mund të ulë sinjalet e përfshira në inflamacion, që lidhet me çrregullimet e humorit, ose ndihmojnë komunikimin me zona specifike në tru. Sipas shumë gjasave, ketamina funksionon në shumë mënyra, në të njëjtën kohë, shumë prej të cilave janë duke u studiuar.

Cilat janë efektet e mundshme anësore të ketaminës?

Të gjitha ilaçet kanë efekte anësore, ketamina e dhënë përmes infuzionit mund të shkaktojë:

Shtypje të lartë të gjakut, marramendje, vjellje, çrregullime në perceptim (koha duket se po shpejtohet ose ngadalësohet, shikim jo i qartë).

Shkëputje (ndonjëherë e quajtur, përvoja jashtë trupit), është e rrallë, një person mund të ndihet sikur po shikon nga lart trupin e tij, për shembull.

Në përgjithësi, çdo ndryshim në përceptim është i vërejtshëm gjatë infuzionit të parë dhe përfundon shumë shpejtë.

Spreji i hundës Esketamina mund të shkaktojë të njëjtat efekte anësore, sidoqoftë, koha dhe intensiteti i tyre dallon.

Përdorimi për kohë të gjatë i ketaminës mund të ketë më shumë efekte anësore, të cilat janë ende duke u studiuar.

Çfarë duhet të dini më shumë për ketaminën?

Një dozë shumë më e vogël e ketaminës jepet për depresion në krahasim me dozën e nevojshme për anestezi.

Ketamina ka veti të varësisë, është e rëndësishme të dimë këtë kur masim rreziqet dhe përfitimet. Nëse keni histori të abuzimit me substanca-si alkool ose drogë, është shumë me rëndësi për ju dhe mjekun që të konsideroni nëse ketamina është opsion i mirë për ju.

Kur ketamina me infuzion funksionon, njerëzit zakonisht i përgjigjen me një deri ne tre infuzione. Nëse një person nuk ka fare reagim, nuk ka shumë gjasa që numër më i madh i infuzioneve të kryejë punë. Është më mirë të provoni mënyra tjera për trajtim të depresionit.

Për ata persona që i përgjigjen këtij trajtimi,  pas tetë seancave, pacienti dhe doktori vendosin nëse të vazhdohet apo ndalohet trajtimi me ketaminë.

health. harvard. edu

Përgatiti: Ardita Zeqiri – KALLXO.com