OBSH: Ëmbëlsuesi artificial Aspartam mund të jetë kancerogjen për njerëzit

Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin mbi Kancerin (IARC) dhe Komiteti i Përbashkët i Ekspertëve për Aditivët e Ushqimit (JECFA) i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) kanë dhënë vlerësime mbi ndikimet shëndetësore të aspartamit, një ëmbëlsues artificial i përdorur zakonisht që nga vitet 1980. IARC e ka klasifikuar aspartamin si kancerogjen të mundshëm për njerëzit për shkak të “provave të kufizuara” për kancerogjenitetin, veçanërisht për një lloj kanceri të mëlçisë. Megjithatë, JECFA e ripohon marrjen e pranueshme ditore të aspartamit në 40 mg/kg peshë trupore, duke mos përmendur asnjë arsye bindëse për t’i ndryshuar udhëzimet e përcaktuara më parë.

Vlerësimet e ndikimeve shëndetësore të aspartamit ëmbëlsues pa sheqer janë publikuar nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit (IARC) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Komiteti i Përbashkët i Ekspertëve të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) për aditivët e ushqimit, JECFA). Duke cituar “prova të kufizuara” për kancerogjenitetin tek njerëzit, IARC e klasifikoi aspartamin si kancerogjen të mundshëm për njerëzit (IARC Group 2B) dhe JECFA ripohoi marrjen e pranueshme ditore prej 40 mg/kg peshë trupore.

Aspartami është një ëmbëlsues artificial (kimik) i përdorur gjerësisht në produkte të ndryshme ushqimore dhe pijesh që nga vitet 1980, duke përfshirë pije dietike, çamçakëz, xhelatinë, akullore, produkte qumështi si kosi, drithëra mëngjesi, pastë dhëmbësh dhe medikamente të tilla si pika për kollën dhe vitaminat përtypëse.

“Kanceri është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën. Çdo vit, 1 në 6 njerëz vdesin nga kanceri. Shkenca po zgjerohet vazhdimisht për t’i vlerësuar faktorët e mundshëm inicues ose lehtësues të kancerit, me shpresën për t’i reduktuar këto shifra dhe numrin e njerëzve”, thotë Dr Francesco Branca, Drejtor i Departamentit të Ushqyerjes dhe Sigurisë Ushqimore, OBSH. “Vlerësimet e aspartamit kanë treguar se, ndërkohë që siguria nuk është një shqetësim i madh në dozat që përdoren zakonisht, efektet e mundshme janë përshkruar që duhet të hetohen nga studime më të mira dhe më të shumta”.

Të dy organet kanë kryer rishikime të pavarura, por plotësuese për ta vlerësuar rrezikun e mundshëm kancerogjen dhe rreziqet e tjera shëndetësore që lidhen me konsumimin e aspartamit. Kjo ishte hera e parë që IARC vlerësoi aspartamin dhe hera e tretë për JECFA.

Pas shqyrtimit të literaturës shkencore në dispozicion, të dy vlerësimet kanë vënë re kufizime në provat e disponueshme për kancerin (dhe efekte të tjera shëndetësore).

IARC e ka klasifikuar aspartamin si kancerogjen të mundshëm për njerëzit (Grupi 2B) në bazë të provave të kufizuara për kancerin tek njerëzit (veçanërisht, për karcinomën hepatoqelizore, që është një lloj kanceri i mëlçisë). Kishte gjithashtu prova të kufizuara për kancerin në kafshët eksperimentale dhe prova të kufizuara në lidhje me mekanizmat e mundshëm për shkaktimin e kancerit.

JECFA arriti në përfundimin se të dhënat e vlerësuara nuk kanë treguar arsye të mjaftueshme për ta ndryshuar përdorimin e pranueshëm ditor të përcaktuar më parë (ADI) prej 0-40 mg/kg peshë trupore për aspartamin. Prandaj, komisioni ripohoi se është e sigurt që një person të konsumojë brenda këtij limiti në ditë. Për shembull, me një kanaçe me pije freskuese dietike që përmban 200 ose 300 mg aspartam, një i rritur që peshon 70 kg do t’i duhet të konsumojë më shumë se 9-14 kanaçe në ditë për ta tejkaluar dozën e pranueshme ditore, duke supozuar se nuk ka konsum tjetër nga burime të tjera ushqimore.

Identifikimi i rrezikut të IARC është hapi i parë bazik për ta kuptuar kancerogjenitetin e një agjenti duke i identifikuar vetitë e tij specifike dhe potencialin e tij për të shkaktuar dëm, p.sh. kancer. Klasifikimi i IARC e pasqyron fuqinë e provave shkencore nëse një agjent mund të shkaktojë kancer te njerëzit, por ato nuk pasqyrojnë rrezikun e zhvillimit të kancerit në një nivel të caktuar ekspozimi. Vlerësimi i rrezikut të IARC i merr në konsideratë të gjitha llojet e ekspozimeve (p.sh. dietale, profesionale). Klasifikimi i fuqisë së provave në Grupin 2B është niveli i tretë më i lartë nga 4 nivelet, dhe në përgjithësi përdoret ose kur ka prova të kufizuara, por jo bindëse, për kancerin tek njerëzit ose prova bindëse për kancerin tek kafshët eksperimentale, por jo të dyja.

“Gjetjet e provave të kufizuara të kancerogjenitetit tek njerëzit dhe kafshët, dhe e provave të kufizuara mekanike se si mund të ndodhë kancerogjeniteti, e e vënë theksin tek nevoja për më shumë kërkime për ta përmirësuar të kuptuarit tonë nëse konsumimi i aspartamit përbën një rrezik kancerogjen”, thotë Dr Mary Schubauer- Berigan nga programit i Monografive të IARC.

Vlerësimet e rrezikut të JECFA-s e përcaktojnë probabilitetin e një lloji specifik dëmtimi, d.m.th. kanceri, që të ndodhë në kushte dhe nivele të caktuara ekspozimi. Nuk është e pazakontë që JECFA t’i përfshijë klasifikimet e IARC në diskutimet e saj.

“JECFA gjithashtu mori në konsideratë provat mbi rrezikun e kancerit, në studimet e kafshëve dhe njerëzve, dhe arriti në përfundimin se provat e një lidhjeje midis konsumit të aspartamit dhe kancerit te njerëzit nuk janë bindëse”, thotë Dr Moez Sanaa, Shefi i Standardeve dhe Këshillave Shkencore të OBSH-së, Njësia e Ushqimit dhe Ushqyerjes. “Ne kemi nevojë për studime më të mira me ndjekje më të gjatë dhe pyetësorë të përsëritur diete në grupet ekzistuese. Ne kemi nevojë për prova të kontrolluara të rastësishme, duke përfshirë studime të rrugëve mekanike që lidhen me rregullimin e insulinës, sindromën metabolike dhe diabetin, veçanërisht në lidhje me kancerogjenitetin”.

Vlerësimet e IARC dhe JECFA për ndikimin e aspartamit u bazuan në të dhëna shkencore të mbledhura nga një sërë burimesh, duke përfshirë dokumente të rishikuara nga kolegët, raporte qeveritare dhe studime të kryera për qëllime rregullatore. Studimet janë shqyrtuar nga ekspertë të pavarur dhe të dy komisionet kanë ndërmarrë hapa për ta siguruar pavarësinë dhe besueshmërinë e vlerësimeve të tyre.

IARC dhe OBSH do të vazhdojnë t’i monitorojnë provat e reja dhe do t’i inkurajojnë grupet e pavarura kërkimore për të zhvilluar studime të mëtejshme mbi lidhjen e mundshme midis ekspozimit të aspartamit dhe efekteve shëndetësore të konsumatorëve./Scitechdaily.com

Përgatiti: Nuhi Shala