Shembja e ‘Adriatikut’: Komuna nuk kishte marrë njoftim për renovime

Komuna e Mitrovicës nuk ishte e njoftuar nga askush për punimet që quan në shembjen e një pjese të hotelit ‘Adriatik’.

Nehat Bahtiri nga Drejtoria për Emergjenca në Komunën e Mitrovicës ka thënë për KALLXO.com se për renovimet që po bëheshin në hotel nuk kishte pasur asnjë lloj njoftimi paraprak nga pronarët.

“Asnjë lloj njoftimi nuk kemi pasur. Nga informatat që kam, nuk ka pasur as leje për ndonjë ndërtim, apo renovim”, tha ai për KALLXO.com.

Ndërkohë, sipas drejtorit për emergjenca në komunën e Mitrovicës, deri te rrënimi ka ardhur si pasojë e ndërhyrjeve që janë bërë në të nga ata që kanë punuar sot.

“Objekti siç dihet është i vjetër dhe si pasojë e punimeve në disa prej shtyllave aty besojmë që ka ardhur deri te rrënimi i një pjese”, tha ai.

Hoteli ‘Adriatik’ deri para pak kohësh kishte qenë nën menaxhimin e AKP-së, ndërsa sipas Bahtirit, ai së fundmi është privatizuar. Tutje, ai tha se nuk ka informacion se në pronësi të kujt është.

Ndërkohë, drejtori i drejtorisë për urbanizëm, Besnik Beka ka thënë për Kallxo.com se komuna e Mitrovicës nuk ka marrë ndonjë kërkesë apo intervenim brenda objektit.