Inspektorati i Punës do të dalë me raport për vdekjen e punëtorit në hotelin 'Adriatik'

Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi ka thënë se trupa inspektuese do të fillojë të përgatisë një raport mbi aksidentin e ndodhur dje në hotelin ‘Adriatik’ në qendër të qytetit të Mitrovicës.

Një punëtor 27 vjeçar vdiq dje pasi mbeti nën rrënojat e pjesës së shembur të hotelit.

Në një prononcim për KALLXO.com, Ibrahimi tha se së shpejti Inspektorati do ta përgatisë një raport për rastin.

“Inspektorati do të fillojë të përgatisë një raport për rastin e Mitrovicës, siç thash, edhe mbrëmë inspektorët kanë dalur në vendin e ngjarjes”, tha ai për KALLXO.com.

Tutje, i pari i Inspektoratit të Punës tha se përgjegjës për sigurinë dhe lejet për ndërtim janë kuvendi komunal në Mitrovicë dhe inspektorati komunal.

“Inspektori ka qenë atje dhe tash mbetet në vazhdimësi. Kemi një problem tjetër, tash jemi duke e parë një aspekt tjetër për sigurinë e ndërtesës dhe si kompetentë për të janë kuvendi komunal në Mitrovicë dhe inspektorati komunal. Sipas informatave, siç e keni parë edhe ju atje është shemb ndërtesa dhe duhet të shihet se a ka të bëj me sigurimin e ndërtesës dhe mënyrën sesi kanë leju ata”, ka deklaruar Ibrahimi.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për aksidentin në hotelin e vjetër në Mitrovicë ku për pasojë humbi jetën një punëtor.

https://kallxo.com/video-momenti-kur-nxirret-trupi-i-pajete-i-personit-nen-germadha/