Sava Janjiq - Foto: Kallxo.com

Sava Janjiq: Ne lejojmë që rruga të asfaltohet, por jo të ndërtohet

Kreu i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, në një intervistë për KALLXO.com, ndër tjera thotë se lejojnë që rruga që kalon nëpër tokën e Manastirit të Deçanit të asfaltohet në perimetrin ekzistues, por nuk lejojnë ndërtimin e saj dhe transformimin në rrugë ndërkombëtare.

“Ky ishte një sugjerim nga BE-ja. Nëse do të ngelej një rrugë lokale prej 10 kilometrave, kjo mund të asfaltohet në po këtë perimetër dhe nuk do të kishte problem, por problemi është se ka një shenjë që kjo rrugë është ndërlidhëse e Deçanit dhe Plavës. Ministria e Infrastrukturës e ka thënë këtë shumë qartë”, ka thënë Janjiq për KALLXO.com.

Sipas tij, rruga mund të asfaltohet ashtu siç është.

“Dhe nuk do të jetë një rrugë ndërkombëtare, ky nuk do të ishte aktivitet i ndaluar por aktivitet i kufizuar mbi të cilin mund të pajtoheshim gjithnjë. Problemi është se ata duan ta bëjnë një rrugë ndërkombëtare dhe nuk janë të gatshëm të pranojnë ligjërisht se kjo nuk do të jetë një rrugë ndërkombëtare”, ka thënë ai.

KALLXO.com ka intervistuar Sava Janjiqin në lidhje me ndalimin e punimeve nga Manastiri në rrugën Deçan-Plavë dhe hidrocentralet e ndërtuara në zonën e mbrojtur.