Logo e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës

QKRMT reagon ndaj publikimit të fotografisë për dhunën seksuale

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ka reaguar ndaj publikimit të fotografisë për dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga ana e deputetes së PDK-së, Flora Brovina.

“Pas publikimit në media dhe rrjetet sociale të fotografisë, e cila paraqet kryerjen e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë, QKRMT ka pranuar shumë telefonata dhe reagime nga të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë si dhe nga familjarët e tyre. Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë janë tepër të shqetësuar dhe të indinjuar pas publikimit të këtyre pamjeve”, thuhet në reagimin e kësaj qendre.

Sipas QKRMT-së, publikimi i këtyre pamjeve në mënyrë të plotë – pa cenzurë, i ka rikthyer kujtimet e tmerrshme të luftës për shumë gra, burra e fëmijë që kanë përjetuar këtë tmerr, “duke ritraumatizuar dhe duke i thelluar edhe me tej plagët dhe dhimbjet shpirtërore të tyre të përjetuara gjatë luftës”.

“Paraqitja e këtyre imazheve në mënyrë publike më së paku iu ndihmon të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës si dhe familjarëve të tyre, andaj për shkak të emocioneve të provokuara dhe për shkak të pamjeve të ndieshme, kërkojmë nga mediat dhe të gjithë ata që e kanë publikuar këtë fotografi, ta largojnë nga shfaqja në publik”, thuhet në njoftimin e tyre.

Brovina gjatë seancës së sotme të Kuvendit, ka publikuar  para mediave fotografinë e një gruaje duke u dhunuar gjatë luftës së fundit në vend.

Ndaj këtij veprimi pati reagime të shumta, përfshirë edhe deputeten e VV-së, Saranda Bogujevci, e cila kërkoi që të largohet nga mediat fotografia e gruas së dhunuar.

16 Maj 2019 - 16:19

Emirjeta Vllahiu 16/05/2019 - 16:19
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend