Monumenti 'Heroinat' në Prishtinë. Foto: Kallxo

Bartja e traumës mes brezave, studim mbi nënat që kanë lindur fëmijë në periudhën 1999/2000

Një studim i kohëve të fundit lidhur me gratë kosovare të cilat ishin të ekspozuara ndaj dhunës tregoi se terapia familjare është e dobishme për fëmijët e lindur nga këto gra me çrregullim të stresit post-traumatik, PTSD gjatë shtatzënisë.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, QKRMT prezantoi të dhënat e fazës së dytë të studimit për traumat ndër breza nga nënat e ekspozuara ndaj dhunës gjatë luftës në Kosovë në vitet 1999-2000 për fëmijët e tyre dhe nëse terapia familjare mund të ndikojë në ndryshimet epigjenetike të shkaktuara nga trauma.

Gratë që u ekspozuan ndaj torturave gjatë luftës në vitin 1999 ishin pjesë e konferencës me titull “A mundet terapia familjare të kthejë ndryshimet epigjenetike që mund të shkaktohen nga efektet e PTSD-së së nënës dhe traumave ndër breza”.

Faza e parë e këtij studimi u bë në vitin 2019 ku u vërtetua se fëmijët e lindur nga gra të traumatizuara me PTSD gjatë shtatzënisë kishin nivele më të larta të kortizolit dhe shfaqën ndryshime epigjenetike në sipërfaqen e ADN-së.

Mbi bazën e këtyre gjetjeve dhe rekomandimeve, në fazën e dytë të studimit, QKRMT filloi të aplikojë terapinë familjare, e cila kishte për qëllim trajtimin e transmetimit të traumës nga një brez në tjetrin.

Në studim u përfshinë 62 nëna dhe 62 fëmijë – në mënyrë të rastësishme 30 familje u caktuan për grupin eksperimental dhe 32 për grupin e kontrollit. Nënat dhe fëmijët kanë kryer vlerësimet SDQ (Strength and difficulties questionnarie) dhe matje fizike në tre intervale kohore, si dhe kanë siguruar mostra gjaku që janë përdorur për të matur kortizolin dhe metilimin e ADN-së në të gjithë epigjenomën (array Illumina EPIC).

Secili grup ndoqi 10 seanca të terapisë familjare për një periudhë 3-5 mujore. (përshtatur nga Shoqata e Mbretërisë së Bashkuar për terapinë familjare dhe praktikën sistemike).

Sipas të dhënave, në fazën e dytë të studimit nënat kishin nivele dukshëm më të ulëta të kortizolit pas fazës së parë të studimit, megjithëse kjo ndodhi pavarësisht nëse ato ishin në grupin eksperimental apo të kontrollit. Në të kundërt, fëmijët në grupin eksperimental gjithashtu treguan nivele të reduktuara ndjeshëm të kortizolit, por jo fëmijët në grupin e kontrollit.

Fëmijët në grupin eksperimental gjithashtu treguan ulje të ndjeshme të niveleve të kortizolit, por jo edhe fëmijët në grupin e kontrollit.

Fëmijët në grupin që iu caktua ndërhyrja familjare, krahasuar me grupin e kontrollit, shfaqën >1% metilim diferencial në 4,593 vende të CpG në tërë gjenomin (në p<0.01), me diferencën më të madhe të metilimit 23%. Analiza tregoi përfshirjen e një sërë rrugësh në proceset qelizore, metabolizëm, sistemin nervor dhe përpunimin e informacionit mjedisor.

Kur u fokusuan vetëm te fëmijët e lindur nga nëna me PTSD (çrregullim i stresit post traumatik) gjatë shtatzënisë,  identifikuan dy vende të CpG dhe një rajon të metiluar diferencial, që u zbulua se ishin çrregulluar në studimin e mëparshëm. E rëndësishme ishte gjithashtu që u tregua efekti i ndërhyrjes familjare në rrugët e sinjalizimit endokrin te fëmijët e lindur nga nëna me PTSD.

Shyhrete Sulejmani, e mbijetuar e dhunës seksuale nga lufta e vitit 1999, ndër të tjera theksoi sfidat me të cilat përballen nënat të cilat janë të mbijetuara të dhunës seksuale.

“Çdo ditë pyes veten: A jam një nënë e mirë? Ndjenja e parë është shkatërruese dhe e di që shumë të tjerë e kanë atë ndjenjë çdo ditë. Ne nuk zgjodhëm të kaluarën, por kemi mundësinë të zgjedhim të tashmen dhe të ardhmen për hir të së vërtetës dhe fëmijëve tanë”- deklaroi ajo.

Duke folur për rëndësinë e terapisë familjare dhe gjetjet paraprake të studimit, Line Hjort nga Universiteti i Kopenhagës deklaroi se “ndryshimet saktësisht epigjenetike janë objektiva potencialisht të kthyeshme në procesin e thyerjes së ciklit të traumës përmes terapisë familjare”.

Nga ana tjetër, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott theksoi rëndësinë e studimit për Kosovën, Britaninë e Madhe dhe mbarë botën.

“Studime të tilla unike që synojnë parandalimin e dhunës në konflikt dhe parandalimin e transmetimit të traumës midis brezave, jo vetëm që e bëjnë krenare Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, si mbështetëse e këtij studimi, por mund t’u shërbejë edhe të mbijetuarve të dhunës seksuale në konflikt në mbarë botën. përkatësisht në Ukrainë” – deklaroi Abbott.

Ky hulumtim është realizuar në bashkëpunim me Institutin Dignity, Spitalin Universitar të Kopenhagës dhe Universitetin Monash në Australi, dhe ka për qëllim përmirësimin e shëndetit mendor të nënave dhe fëmijëve të tyre, përkatësisht duke ndërprerë ciklin e traumave ndërmjet brezave. Studimi është mbështetur nga: Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

Ky artikull është publikuar fillimisht në Prishtina Insight