Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Promovohet libri 'Përdhunimi: Një histori turpi, ditari i të mbijetuarve' i Wiola Rebeckas

Qendra Kombëtare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka promovuar sot librin “Përdhunimi: Një histori turpi, ditari i të mbijetuarve” i Wiola Rebeckas.

Libri është  promovuar me rastin e 22-vjetorit të themelimit të QKRMT.

Libri “Përdhunimi: Një histori turpi, ditari i të mbijetuarve” i Wiola Rebeckas,  eksperte e shëndetit mendor, përmbledh rrëfimet e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftërave nga pjesë të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe Kosovën.

Pjesë e këtij libri është edhe rrëfimi i Shyhrete Tahiti-Sulimani, e mbijetuar e dhunës gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në këtë promovim  mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori britanik, Nicholas Abbott.

Feride Rushiti,  drejtoreshë e QRMT, tha se përmes këtij libri është arritur të shpaloset edhe historia kosovare e të mbijetuarve të luftës.

“Me këtë libër, Wiola Rebecka, duke qenë edhe pasardhëse e një të mbijetuarje të Holokaustit dhe dhunimit gjatë Luftës së II Botërore, sjellë edhe pasoja-traumat ndër brezore, të cilat përcillen tek brezat e viktimave të luftës”, ka thënë Rushiti.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe kryeministri i Kosovës. Albin Kurti, i cili theksoi se libri i Wiola Rebeckas sa është i rëndësishëm është edhe i veçantë.

“Është libër që bën bashkë ekspertizën e autores në psikologjinë e traumës dhe shërimit me rrëfimet të ndryshëm nga mbarë bota e periudha të ndryshme kohore të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, e traumave të shumëfishta të stigmatizimit”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se shteti ka bërë pak për të mbështetur viktimat e luftës dhe trajtuar pasojat.

Ndërkaq, Shyhrete Tahiti-Sulimani, e mbijetuar e dhunës gjatë luftës në Kosovë, ka thënë se ka thënë se falë QKRMT ka fituar guximin për të folur publikisht për atë çfarë ka përjetuar ajo gjatë luftës.

“Nuk ndihem e turpëruar për atë çfarë kam përjetuar gjatë luftës. Sa më shumë që kam folur më të mbijetuar të torturës së luftës më është fuqizuar bindja se nuk duhet të ndalem, të turpërohem dhe nuk duhet të kem frikë”, ka thënë ajo.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurse autorja e librit, Wiola Rebecka ka thënë se dhembja dhe trauma e viktimave të dhunës përcillet edhe te breza e viktimave.

“Gjatë karrierës sime kam mbledhur mëse 200 dëshmi të viktimave të luftës nga mbarë bota”, ka thënë ajo, duke përmendur edhe dhunën që ka përjetuar gjyshja e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore nga nazistët dhe sovjetikët.

Gjatë këtij promovimi është zhvilluar edhe një debat lidhur me pasojat dhe trajtimin e të mbijetuarve të luftës.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com