QKRMT mirëpret dënimin e Zoran Vukotiqit, paralajmëron ankesë për rritje të dënimit

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës (QKRMT) ka përshëndetur vendimin për dënimin me 10 vite burg të Zoran Vukotiqit lidhur me dhunën seksuale gjatë luftës.

Sebahate Pacolli Krasniqi nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës tha se ky është një vendim i jashtëzakonshëm.

“Për ne është një ditë e jashtëzakonshme dhe historike sepse është hera e parë që në Kosovë po jepet vendim për një krim të tillë. Është një ditë që shënon triumfin ndaj krimeve të këtij lloji”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se drejtësia e munguar po merr një dimension tjetër edhe pse dënimi, sipas saj, nuk është në nivelin e merituar.

“Jemi të lumtur që angazhimi ynë 20-vjeçar, edhe pse vonë po merr një dimension tjetër, atë të drejtësisë së munguar, edhe pse dënimi ndoshta nuk është në nivelin e merituar. Kjo për ne paraqet fillimin e një etape ku drejtësia do shënojë edhe më shumë raste të triumfit karshi krimeve të luftës”, shtoi tutje Pacolli Krasniqi.

Ndërsa Shyhrete Tahiri-Sylejmani, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë tha se sot për të nis një epokë e re dhe drejtësia për shpirtin e tyre.

“Sot është një epokë e re për të gjitha neve të mbijetuarave të luftës, nga emocionet që kam sot, më kanë humbur edhe fjalët. E falënderoj shumë KRCT për angazhimin. Sot filloi drejtësia për shpirtin tonë”, tha ajo.

Ajo potencoi se edhe për kriminelin sot ka filluar një epokë e re në qeli.

“Mund të them qe edhe për kriminelin që është ne qeli , edhe ai do fillojë një epokë të re”, shtoi tutje ajo.

Kurse, Fatmire Haliti, juriste në QKRMT, tha se nuk janë të kënaqur me lartësinë e dënimit dhe se do bëjnë ankesë në Gjykatë të Apelit për rritje të dënimit.

“Ne e kemi mirëpritur si dënim, për një person që ka kryer dhunime gjatë luftës në Kosovë, sa i përket viteve të dënimit si  OJQ, nuk jemi të kënaqur sepse një krim i tillë meriton më shumë se 10 vite. Ne do diskutojmë me prokurorinë speciale, do i paraqesim ankesat edhe në gjykatën e apelit për rritje të dënimit ndaj atij dhunuesi”, ka thënë Haliti.

Sot ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se për herë të parë Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me 10 vite burg Zoran Vukotiqin për dhunë seksuale gjatë luftës.

Gjykata Themelore dënon me 10 vjet burg Zoran Vukotiq për dhunë seksuale gjatë luftës