Prokurorja speciale nderohet me "Çmimin për Guxim - Vasfije"

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës ka nderuar me “Çmimin për Guxim – Vasfije”, Drita Hajdarin, prokurore e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Përmes një njoftimi, QKRMT tha se ndarja e çmimit vjen pas përkushtimit të Drita Hajdarit në kërkim të drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale.

“Këtë vit, në 22 vjetorin e themelimit, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës – QKRMT, nderon Prokuroren, Znj. Drita Hajdari me “Çmimin për Guxim – Vasfije” (Vasfije Courage Award), për përkushtimin e saj në kërkim të drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Kjo organizatë joqeveritare ka treguar edhe detajet e çmimit.

“Themeluar në vitin 2019, ky çmim vjetor nderon individë ose organizata/institucione që kanë treguar guxim, përkushtim dhe udhëheqje të jashtëzakonshme në avancimin e kauzës së mbijetuarve të dhunës seksuale që nga koha e luftës në Kosovë, duke sjellë ndryshime të prekshme në përmirësimin e jetës dhe mirëqenies, si dhe integrimi shoqëror dhe kulturor i kësaj kategorie të cenueshme”, thuhet në njoftim.